Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, deklaroi mbrëmë në Spotlight nga Alban Dudushi, se në Shijak situata vijon të mbetet e njëjtë si në zgjedhjet e kaluara.
Gangsterët e Shijakut, tha ai, janë të gjithë në mbështetje të Partisë Socialiste. Duke analizuar këtë situatë Duka bëri paralajmërimin e fortë se nëse organet ligj-zbatuese nuk ndërhyjnë dhe ata do të vazhdojë kështu, ai do të tërhiqet nga gara.
“Situata në zonën e Shijakut, të cilën unë e kam marrë në angazhim është pothuajse në të njëjtën gjendje. Unë, nëse do vazhdojë e njëjta situatë, edhe me fakte do të sjell, që njerëz të cilët janë kriminelë që në fund të fundit, kanë qenë ndoshta edhe publikë, të njohur, sot janë në fushatë elektorale në krah të PS-së.
Mundohem ta heq veten nga ky lloj tifozlliku, megjithëse është shumë e vështirë. Ndoshta mund të jem subjektiv. Por, për këtë që po them, ky është krimi më i madh që mund t’i ndodhë shqiptarëve. Domethënë të vazhdojmë një krizë politike, ku opozita bëri mirë apo keq ka dalë nga Parlamenti, ku gjithë pushteti është në një dorë, vetëm për një arsye, për shkak të zgjedhjeve të cilat u vodhën edhe për shkak të përzierjes së politikës me krimin. E nëse vazhdojmë me të njëjtin skenar, ne Shqipërinë e çojmë mbrapsht.
Unë marr përsipër si kandidat për deputet që pas një të ardhmeje të afërt, nëse këta vazhdojnë prapë do t’i denoncoj, edhe vetë do tërhiqem nga gara, se atje nuk fitohet, në qoftë se do vazhdojë kështu”, tha ai.
Duka gjithashtu deklaroi gjithashtu, se kjo do të jetë hera e fundit që kandidon për të qenë deputet në Parlamentin e Shqipërisë.
© SYRI.net