Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Kuçovë, duke folur për agroturizmet e qarkut Berat, ka dhënë lajmin e Banka e Shqipërisë do të financojë me 250 milionë euro në shërbim të bizneseve të vogla dhe të mesme që kanë në fokus bujqësinë.
“Kredia e Butë me një linjë financimi 250 milionë euro dhe me normë interesi 3.5%, e kombinuar me Garancinë Sovrane, e ul normën e interesit në 2% dhe mbulon kolateralin deri në 70%”, thotë kreu i qeverisë.
Rama u bëri apel sipërmarrësve të agroturizmit që të fokusohen edhe te agropërpunimi, në mënyrë që të dalin në treg me produktet e tyre.
“Unë flas me njerëz që janë dëshmitarë të transformimit dhe mirësisë që sjell një mund dhe investim. Kthen përmbys edhe një ekuacion që sipas të cilit është e pamundur të bësh bujqësi, të gjesh treg, duke qenë larg rrjeteve ku mund të hysh në treg. Një argoturizëm e sjell vetë tregun te dera jote.
Sot dua të ndaj me ju risinë e dy linjave të reja të financimit, duke u nisur te linja e re e Bankës së Shqipërisë. Do vendosen 250 milionë euro në shërbim të bizneseve të vogla dhe të mesme, të fokusuara te bujqësia. Ju nxis të shihni pak më tutje, edhe te agropërpunimi, të dilni në treg me produktet tuaja”, tha Rama.