Ahmeti foli para gazetarëve dhe e tha të kundërtën e asaj që deklaroi deputetja që u dorëhiq nga funksionet në VV, Aida Dërguti.
“Diskutime të atyre se çka ka ndodhur, dhe gjërave që janë bërë publike. Aida Dërguti ka dhënë dorëheqje, dhe në mbledhje s’ka kurrfarë vendimi”, tha Ahmeti para gazetarëve.
Por, Aida Dërguti tha se në këtë parti ka probleme, duke thënë se problemi kryesor është ideologjia dhe mos pajtimi për mënyrën e funksionimit.
Ajo madje tha se në këtë parti sulmet e organizuara linçuese, dhe instrumentalizimi i njerëzve janë problem i patejkalueshëm.
“Po, brenda nesh ka dallime. Ky problem që në dukje të parë duket si inati personal, në fakt është dallim politik dhe ideologjik. Jo dallim karshi qëllimeve të shprehura në Program, por sidomos dallim karshi metodës. E dallimi në metodë është dallim politik pastaj. Nuk mund të arrish përmes rrugëve e metodave të ndryshme tek qëllimi i njëjtë. Metoda e fisnikëron ose e korrupton qëllimin. Ta zemë, probleme të patejkalueshme për mua janë sulmet e organizuara linçuese, dhe instrumentalizimi i njerëzve. Asnjë qëllim madhor nuk e arsyeton instrumentalizimin”, ka shkruar Dërguti në Facebook./Lajmi.net/