Akademia e Biçikletave e Veliajt, 73 milionë lekë – Eksperti: Kreativitet mashtrues i atij që e shpiku!

Qershorin e tre viteve më parë, kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi se do hapej Akademia e Biçikletave, jo vetëm si një mundësi argëtimi për fëmijët, por më shumë si vazhdim i traditës për përdorimin e dyrrotakut. Pas më shumë se 3 vite, pritet që ky parashikim të bëhet realitet përgjatë këtij viti, e megjithatë me një kosto të lartë. Sipas ekspertëve akademia do të ketë ndikim si nga ana mjedisore, por edhe në vlerën  monetare, shkruan Albanian Center for Quality Journalism.

Por fondi prej 73 milionë lekë të cilat do të shërbejnë për ndërtimin e akademisë së dyrrotakëve, sipas ekspertit të ekonomisë Rezart Prifti janë të papërfillshme. Duke krahasuar me evente të tjera kulturore në bashki, eksperti shton për Sinjalizo : “A duhet 73 mln lekë me tvsh pa tvsh, okay le të hedhë 1 milion euro. Nuk më intereson fare shuma, sepse në këto tollovi grabitjesh që po bëhen në këtë vend, nuk janë asgjë 73 milion lekë. Janë një koncert i Noizyt që të mbarojë punë brenda një fundjave. ”- paralelizon eksperti.

 Megjithatë, zona ku do të instalohet akademia e radhës është rrethuar me bllokuese. Dikur ka qenë një park që shfrytëzohej nga të rriturit për fëmijët e tyre dhe nga mosha e tretë për të kaluar kohën.

Por, eksperti Prifti është i bindur se pas emërtimit “akademi” qëndron një truk mashtrues.

“Akademia e Biçikletave është një shpikje që ka të bëjë me kreativitetin mashtrues. Megjithatë unë po ja jap të gjitha atij që e ka shpikur. A duhet Akademia e Biçikletave? Po, duhet. Për çfarë duhet, dreqi e di. Kushdo që është rritur dhe ka mësuar ti japë biçikletës e di shumë mirë si mësohet ajo punë. Nuk ka nevojë të kesh as patentë për bicikleta të kategorisë A, B as patentë skafi, asgjë  or një moment le të themi që duhet Akademia e Bicikletave sipas shpikjes së tyre.”

Me pyetjet se përse është zgjedhur si vendndodhje “Sheshi Italia”, sa ka qenë investimi i parkut (vlera monetare) që u ndërtua në atë vendndodhje që tanimë është prishur për tu ndërtuar Akademia e Biçikletave, “Sinjalizo” kërkoi informacion nga Bashkia e Tiranës. Përgjigjja lidhet me misionin e Akademisë për të mësuar ngarjen e dyrrotakut.

“Shkolla e Biçikletave për grupmoshat 7-19 vjeç, përkufizohet shkollë e arsimit bazik e orientuar(shkollë e orientuar për mësimdhënien e biçikletës)”-i thuhet “Sinjalizo”. Por, bashkia nuk u përgjigj mbi arsyet e zgjedhjes së bazës ku do funksionojë akademia.

“Sheshi i ndërtimit kufizohet në anën veriore me rrugën ”Dervish Hima” dhe në anën lindore me rrugën “Sheh Ahmed Pazari”. Kurse në anën jugore kufizohet me kompleksin “Ambasador 3” dhe në anën perëndimore me stadiumin “Air Albania”. Sipërfaqja e sheshit të ndërtimit është 9977 m2”-jepen detaje zyrtare për “Sinjalizo”.

Në këtë pike, eksperti Prifti është i drejtpërdrejtë dhe ka dyshimet e tij .

“Nuk ka asgjë të paqëllimshme në këtë vendimarrje, janë të gjitha palët racionale. Por çështja është janë racionalë malinj apo nuk janë malinj. Është i njëjti fenomen kjo prishja e hapësirës së gjelbërt siç po bëhet me liqenin. E keni vënë re që një liqen artificial ka Tirana dhe aty janë pleqtë, të rinj, mosha e tretë, çiftet bëjnë vrap, dalin shëtitje. Por a keni vënë re si i bejnë përurimet? U përurua parku i fëmijëve, stolat, palestrat të gjitha tek liqeni. Sa dëgjohet fjala përurim tek liqeni shtrohet një pllakë e madhe betoni. E njëjta gjë është dhe me akademinë, se më vonë aty do ndërtohet, nuk do rrijë gjatë akademia e bicikletave.” parashikon Prifti.

Humbëm parkun.

Drita, nëna e dy djemve e ka ende peng rrethimin e zonës dhe transformimin në një projekt tjetër. Arsyeja lidhet me fëmijët që gruaja i shoqëronte sa herë dilte në hapësirën poshtë banesës.

“Oh, ishte një gabim i madh, i tmerrshëm do thoja. Këtu ka qenë një park, si tip fushe ku nxirrja djemtë, Ronin dhe Redin për të luajtur. Kalonin një kohë të mirë duke luajtur gjë që ishte shumë më e mirë se sa të qëndronin në telefon.” -shprehet banorja.

Gruaja këmbëngul në mënyrën shqiptare të mësimit të bicikletës, atë të lojës dhe përvetësimit të dyrrotakut me ndihmën e të rriturve apo shokëve.

“Mua më duket lek i shpërdoruar. Roni, djali i madh i cili është 14 vjeç këtu e ka ngarë gjithmonë biçikletën, pra nuk ishte e nevojshme të prishej për tu rindërtuar një akademi tjetër.”-përfundon së treguari Drita, nëna e dy djemve njëri 14 dhe tjetri 10 vjeç.

Por, eksperti këmbëngul se edhe Akademia e Biçikletave nuk do ta ketë të gjatë, jo nga mungesa e ndjekësve, por nga prapaskenat dhe zëvëndësimi me plane të tjera.

“Ka qenë standarti i malinjitetit këtu në Tiranë që merren prona degradohen për disa kohë, duke qenë se marrin shkas dhe nga pjesa që shoqëria jonë ka një memorie shumë të shkurtër dhe degradon. E më pas del ky shpëtimtari i pronës duke e bërë komerciale.”- thotë Prifti.

Për ta ilustruar këtë akuzë Prifti kujton hapësirat e gjelbërta përherë e në pakicë duke e kthyer kryeqytetin të pajetueshëm.

“Sidomos këto kohët e fundit që është bërë një masakër jetësore. Nuk është bërë nga ana urbane, por nga ana jetësore është një gjenocid që është bërë në Tiranë. Kur them gjenocid është një problem se kjo vendimmarrje e tillë nuk ndryshon për 100 vjet nuk ke çfarë ti bësh dhe në këtë sens, a duhet të prishej ajo hapësirë e gjelbërt. Unë mendoj që jo.”

Megjithë, këndvështrimet pro dhe kundër për Akademinë ku promotor kryesor është bashkia, për institucionin ideator konsiderohet “sekret” e dhëna se sa është fondi për ndërtimin e parkut që tanimë është prishur.

“Investimi i parkut ndërtuar në vendndodhjen aktuale të Akademisë së Biçikletave nuk është ndjekur nga Drejtoria e Investimeve të Punëve Publike.”- është përgjigjja e Bashkisë.

Në shkresat që “Sinjalizo” disponon është e qartë se fillimi i punimeve sipas procesverbalit të mbajtur nga mbikëqyrësi dhe sipërmarrësi i punimeve është data 10.01.2023. Kurse si afat përfundimtar është koha brenda 10 muajve të këtij viti, që llogaritet të jetë në muajin nëntor. Burimet sqarojnë se fondi llogaritet 73 milionë.

“Me 73 milion lekë unë nuk do të ndërtoja asnjë gjë. Unë kam një parim tjetër, historikisht Shqipëria ka investuar në llaç e tulla, nëqoftëse e ke vënë re rilindjen urbane doli në qytetet e vendit dhe i bëri me 4-5 milion lekë sheshe, fasada. Pra dikur këto qytete kishin njerëz, tani këto qytete nuk kanë njerëz fare, mirëpo këto qytete kanë beton tani dhe kanë të gjitha nga një shëtitore të madhe aty që vlen zero lekë. “ – mbyll komentin e tij eksperti.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme