AKK vjet denoncoi për korrupsion 37 zyrtarë të lartë

Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) gjatë vitit të kaluar ka deponuar në Prokurori 25 kallëzime penale, në të cilat janë të përfshirë mbi 37 zyrtarë të lartë. Këtë e ka bërë të ditur në një interviste për KosovaPress, drejtori i AKK-së, Shaip Havolli.

Ai e ka vlerësuar me progres raportin e indeksit të matjes së korrupsionit nga Transparency International, por se nuk është i kënaqur me luftën kundër korrupsionit.

“Agjencia Kundër Korrupsion për vitin 2016, ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform mandatit që e ka në luftimin dhe parandalimin ndaj korrupsionit. Ka trajtuar diku mbi 200 raste të hetimeve të korrupsionit, diku 25 raste i ka dërguar në Prokurorinë përkatëse. Po ashtu edhe disa raste i ka trajtuar dhe kanë të bëjnë me shkelje të administrative të cilat i ka dërguar në institucionet për me marrë masa vetë institucioni. Janë dërguar po ashtu 25 kallëzime penale diku me mbi 37 persona të përfshirë, të gjithë janë zyrtarë, mirëpo pa e llogarit edhe çështjen e deklarimit të pasurisë që ka përfunduar kontrolli i deklarimit të pasurisë për 2015-tën. Besoj që diku në fillim të muajit mars do të publikohet raporti i përgjithshme lidhur me punën e saj”, tha Havolli.

Para disa ditëve ka dal edhe indeksi i perceptimit të korrupsionit në nivel botëror, dhe pikërisht për renditjen që ka Kosova në këtë raport, vetë Havolli thotë se nuk është i kënaqur.

“Bazuar në raportin e publikuar nga KDI, shihet se Kosova ka treguar një progres të theksuar sa i përket indeksit të perceptimit të korrupsionit. Në vitin 2015 ka qenë në pozitën e 103 ndërsa tani është në pozitën 95 çka mund të themi që ka pasur një progres të shtuar sa i përket luftës kundër korrupsion. Mirëpo ne nuk jemi të kënaqur në këtë pozitë të cilën e ka Kosova tash. Duhet prapë të punojnë të gjithë akterët që e trajtojnë çështjen e korrupsionit, gjitha institucionet që janë për zbatim të ligjit, Agjencia , Prokuroria , Policia dhe mekanizmat të tjerë. Nuk me jemi të kënaqur, por, megjithatë, ka një lëvizje, një shpresë pozitive sepse këta mekanizma veç po e bëjnë punën e vet“, tha Havolli.

Ai ka treguar se Agjencia është ka trajtuar edhe çështje të konfliktit të interesit, ku vetëm në vitin që shkoj janë trajtuar mbi 150 raste.

“Po ashtu Agjencia ka trajtuar edhe çështjet e konfliktit të interesit . Ku deri tash ka trajtuar mbi 150 raste ku dyshohet që zyrtarët e lartë kanë qenë në konflikt interesi. 100 prej tyre janë shmang nga konflikti i interesit, ndërsa pjesa tjetër do të ballafaqohet në rast se nuk largohet nga konflikti me sanksione të parapara me ligj”, tha Havolli.

Ndërsa në fushën e prokurimit publik, Agjencia Kundër Korrupsion i ka dhëna mbi 100 opinione duke sugjeruar që të shmangen situatat e shkeljeve të tilla.

“Sa i përket fushës së prokurimit publik, janë diku mbi 100 opinione për vitin 2016, ku Agjencioni, divizioni i parandalimit të korrupsionit në fushën e prokurimit publik ka dhënë rekomandime, opinione, që të shmangen këto situata në shkelje të ligjit të prokurimit publik“, tha Havolli.

Shefi i AKK-së thotë se me ndryshimet në ligjet që i përkasin fushës së tyre, me siguri se do të kërkohet edhe rritja e kompetencave për Agjencinë, në mënyrë që vetë ata të kenë mundësinë që t’i trajtojnë rastet më mirë dhe më shpejt.

“Kryesisht Agjencia do të vazhdoj me mandatin e vetë të cilin e ka sipas ligjit. Pritet që gjatë këtij viti ligjet të fillojnë të pësojnë ndryshime, si Ligji i deklarimit të pasurisë. Aty ka disa çështje që nuk po mund t’i trajtojmë mirë. Me siguri se do të ketë kërkesa për shtim të kompetencave sa i përket kësaj fushe, të deklarimit të prejardhjes së pasurisë. Po ashtu vitin tjetër do të fillon draftimi i ligjit të ri mbi Agjencinë. Është një projekt i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, rreth trajtimit të kornizës ligjore institucionale të Agjencisë, aty kanë dal disa rekomandime po priten edhe gjatë këtij 6 mujori të parë të dalin disa rekomandime të tjera nga një ekspert i UNDP-së. Po ashtu rekomandime që dalin prej Agjencisë, me qëllim që edhe një herë të shikohet korniza ligjore, institucionale., organizative dhe operacionale të krejt Agjencisë”, tha Havolli.

Përndryshe, Havolli tha për KosovaPress se Agjencia ka mbështetjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në aspektin që lëndët të cilat u dërgohen nga AKK të trajtohen në mënyrë të veçantë. Shefi i AKK-së thotë se deri tash kanë pasur bashkëpunim shembullor me Prokurorinë, me të cilët edhe konsultohen, dhe po ashtu raporte të mira në funksion të detyrave kanë pasur edhe me Policinë dhe me agjencitë të tjera siç janë Qendra e njësisë së inteligjencës financiare, ATK, dhe Doganat.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme