Akoma shumë dilema për zgjerimin e shumicës, Kovaçevski: Alternativa të mbetet në koalicion

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryeministri Dimitar Kovaçevski këmbëngul se nuk e din akoma nëse Alternativa do të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit, edhe pas finalizimit të marrëveshjes me partnerin e ri eventual të koalicionit, Aleancën për Shqiptarët.

Kovaçevski pranon se ka pasur takim me kreun e Alternativës Afrim Gashin dhe thotë se Alternativa duhet të qëndrojë në koalicionin qeveritar.

“Ne pajtohemi se duam që Alternativa të mbetet pjesë e qeverisë dhe e shumicës parlamentare. Duke qenë se bisedohet për kyçje të një partneri të ri në koalicion dhe zgjerim të shumicës, kjo nënkupton edhe organizim të ri të mandateve të deputetëve i ndryshëm nga organizimi që kemi tani. Për vendimet e Alternativës unë nuk mund të përgjigjem. Atë mund ta bëjë vetëm kryetari i saj ose persona të tjerë kompetent nga Alternativa”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Gashi, pasi takoi një ditë më parë Kovaçevskin, disa orë më vonë takoi në Kuvend kreun e opozitës Hristijan Mickoskin. Ai në një deklaratë për Klan tha se këto takime janë në përpjekje të sigurimit të 80 deputetëve për ndryshimet kushtetuese. Mickoski nga ana tjetër, tha se me Gashin është takuar vetëm kalimthi në korridor.

Sot nga VMRO-DPMNE-ja nuk japin më shumë detaje për këtë takim Mickoski-Gashi dhe nuk u përgjigjën në pyetjen nëse shohin një partner të ri eventual te Alternativa. Takimin Mickoski – Gashi nuk e komentoi as kryeministri.

“Mendoj se të dy deklaruan se janë takuar në Kuvend dhe janë përshëndetur, kështu që…”, u shpreh Kovaçevski.

Organet e LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët do të vendosin sonte, secili në kryesinë e tyre, për marrëveshjen e arritur mes palëve për zgjerimin e shumicës. Pas përfundimit të mbledhjeve përkatëse, të dy partitë do ta bëjnë publike marrëveshjen. Alternativa pret zyrtarizimin e koalicionit të ri që të thotë më pas nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e tij ose do të vazhdojë aktivitetin në opozitë. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme