Deklarata se AKR’ja është drejt pranimit të dorëheqjes së ministrit Flamur Sefaj, nga këshilltari i Behgjet Pacollit, e detyroi sekretarin e kësaj partie Rrahim Pacollin të reagojë ashpër ndaj tij.
Ai ka thënë se Jetlir Zyberaj nuk e përfaqëson qëndrimin e partisë, duke kërcënuar kryeministrin Haradinaj për tërheqje nga koalicioni, shkruan gazetametro.net.
“AKR nuk ka pranuar kërkesën e Haradinajt për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Deklaratat e Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, nuk përfaqëson qëndrimin unik të Aleancës Kosova e Re. I bëjmë me dije kryeministrit Ramush Haradinaj, se nëse ministri Sefaj nuk vazhdon punën në ministri, Aleanca Kosova e Re do të largohet nga koalicioni qeverisës”, ka shkruar Rrahim Pacolli.
Por nuk ka vonuar reagimi i të parit të partisë, i cili është edhe familjar i Rrahim Pacollit, Behgjet Pacolli. Ai ka thënë se AKR’ja ka organet të cilat vendosin dhe qëndrimet rreth qëndrimit në koalicion.
“AKR ka kuvendin e vet dhe organet tjera statutore dhe si të tillë, vetëm ato vendosin për të ardhmen e AKR-së. Çdo shkrim tjetër nëpër Facebook dhe rrjetet sociale nuk prezenton qëndrimin zyrtar të partisë”, ka shkruar Pacolli.
E këto thumbime publike të Pacollëve tregojnë që partia po shkon drejt ndarjes, pasi Rrahim Pacolli po kërkon që të mos shkarkohet ministri Flamur Sefaj, ndërkohë që Behgjet Pacolli e ka pranuar.
Rrahim Pacolli e ministri që po bëhet arsye për përplasje të Pacollëve, është njeri i afër me Rrahim Pacollin, pasi Sefaj e Pacolli kanë punuar së bashku në sigurime.