Tri ditë më parë, partitë politike kanë dërguar propozimet e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për kryetarë komunash. Mirëpo, nga Aleanca Kosova e Re, është dërguar emri i sekretarit Vesel Makolli për këtë post. Por, po përmendet se edhe vetë kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli, mund të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës.
Përkundër përfundimit të aplikimit të subjekteve politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Aleanca Kosova e Re, ende nuk e kanë zyrtarizuar emrin e kandidatit për Prishtinën.
Anëtari i Kryesisë së AKR’së, Fatmir Matoshi ka thënë për Gazetën Express se kandidati për kryetar të Prishtinës nga kjo parti “do të jetë befasi”.
I pyetur nëse mund të jetë vetë kryetari i AKR’së kandidat për Prishtinën, Matoshi tha se mund të jetë kushdo.
“Mund të jetë Pacolli, por mund të jetë edhe kushdo tjetër”, ka thënë ai, derisa e bëri të ditur se shumë shpejtë do të dalin me emrin e kandidatit për kryetar të Prishtinës.
Dimë se deri tani zyrtarisht kandidatët për kryetar të Prishtinës nga LDK’ja është Arban Abrashi, nga Vetëvendosje është Shpend Ahmeti, nga Partia Demokratike e Kosovës edhe Lirak Çelaj dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është Arbër Vllahiu.
Megjithatë, partitë politike kanë kohë deri sonte në mesnatë që të ndryshojnë emrat e kandidatëve për kryetarë komunash. Express