Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e djeshme në aksin Fier–Seman, në afërsi të vendit të quajtur Fermë-Çlirim. Një automjet është përplasur me një mjet bujqësor tip zetor, duke shkaktuar plagosjen e tre personave.
Përplasja ka qenë e fortë dhe si pasojë, të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit. Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja shëndetësore e tyre është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të këtij aksidenti.