AKSIDENT NË POLLUZHË, VDES PJESËTARI I FSK-SË KAPITEN SAHIT GOXHULLI

Në një aksident komunikacioni, në mëngjesin e sotëm, në fshatin Polluzhë, në aksin rrugor Skënderaj-Drenas, ka humbur jetën pjesëtari i FSK-së, Kapiten Sahit Goxhuli, nga fshati Makërrmal i Komunës së Skënderajt, i sistemuar në Batalionin e Dytë të Brigadës së Mbështetjes Operacionle në Istog.

Departamenti për Marrëdhënie me Publikun i Forcës së Sigurisë së Kosovës, e ka konfirmuar këtë ngjarje. FSK ka njoftuar, gjithashtu, se “ministri Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i kanë shprehur ngushëllime familjes Goxhuli dhe të gjithë pjesëtarëve të FSK-së, për humbjen e herëshme të jetës së Kapiten Goxhulit, në kohën kur ky më së shumti i duhej familjes, FSK-së dhe Kosovës”.

Kapiten Sahit Goxhuli ishte i lindur më 24.2.1977, në fshatin Makërrmal të Skënderajt. Ai, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte vepruar në Brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës. Pas transformimit të UÇK-së, është inkuadruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), gjegjësisht në Gardën e Kosovës. Në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) Sahiti shërbeu në Batalionin e Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë në Istog, ku ka dhënë një kontribut të çmuar në ngritjen dhe profesionalizimin e saj.

Kapiten Sahit Goxhuli pas vetes ka lënë gruan dhe dy fëmijë, vajzën 11 vjeçe dhe djalin 9 vjeç, thuhet në kumtesën e FSK-së.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë