Gazetar: Suad Bajrami
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka dorëzuar aktakuzë kundër 20-vjeçarit Vasill Jovanov, i cili në mbrëmjen e 29 janarit e ka shkelur për vdekje Frosina Kullakovën. Vepra për të cilën ngarkohet Jovanov, është sipas nenit 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 291 paragrafi 1 i Kodit Penal. Dënimi maksimal për këtë vepër është 20 vite burg.
Sipas Prokurorisë, Jovanov fare nuk ka pasur leje për vozitje.
“Sipas provave, më 29 janar, 15 minuta para mesnatës, i akuzuari pa poseduar fare patentë shoferi ka drejtuar automjetin “Pezho 207” në pronësi të babait të tij. Nuk u është përmbajtur rregullave dhe me atë me vetëdije e ka vendosur në rrezik jetën e njerëzve”, thonw nga Prokuroria.
Mbrëmjen e kobshme, derisa Kullakova ka qenë duke kaluar rrugën në viza të bardha, Jovanov në semafor të kuq, në gjendje të dehur dhe me shpejtësi dyfish më e lartë se sa e lejuara e ka goditur për vdekje.
“Automjetin e ka drejtuar në gjendje të dehur, gjegjësisht me 0.80 promil alkool në gjak, por edhe me shpejtësi prej 91 kilometra në orë që është thuajse dyfish më e madhe se sa e lejuara. Kur ka ardhur para vizave të bardha në udhëkryqin mes bulevardit “Partizanki Odredi” dhe rrugës “29 Nëntori” ka vazhduar të lëvizë në dritë të kuqe të semaforit i cili ka sinjalizuar ndalesë për të kaluar dhe me pjesën e majtë të përparme të automjetit që e ka drejtuar ka goditur në trupin e Frosina Kullakovës, e cila ka qenë duke kaluar në viza të bardha, në dritë të gjelbër. Nga fuqia e goditjes, e dëmtuara është ngritur në ajër dhe është goditur në shtyllën e semaforit, të vendosur në vendkalimin e këmbësorëve, gjatë së cilës ka marrë lëndime të rënda trupore dhe ka vdekur në vendngjarje”, thonw nga Prokuroria.
Qytetarët disa herë protestuan rrugëve të Shkupit për shkak të revoltës se Jovanov kishte shkelur Frosinën në kohën kur do të duhej të kishte qenë në burg, pasi paraprakisht ishte kapur me marijuanë dhe kokainë. Gjykatësi i kishte shqiptuar masë për dërgim në shtëpinë edukuese-korrektuese në Tetovë, megjithatë Jovanov as atje nuk ka shkuar lënda ishte në procedurë ankimuese. Momentalisht, Jovanov ndodhet në Burgun e Shutkës, ndërsa Prokuroria ka kërkuar t’i vazhdohet paraburgimit. Për shkak rastit, autoritetet policore gjatë periudhës së kaluar kanë zbatuar masa dhe aktivitete për të ndëshkuar shkelësit e trafikut./ Alsat.mk