MPB: TË IMPLIKUAR TRE AUTOMJETE – NJËRI DREJTOHEJ NGA NJË I MITUR
Një i mitur nga Shkupi me “Audi” është aksidentuar me dy vetura tjera në rrugën lokale Bërnjarcë-Stajkovcë.
Mbrëmë në redaksinë e Klan Maqedoni kanë arritur disa pamje të aksidentit që kishte ndodhur mes tre veturave afër një deponie mbeturinash në komunën e Gazi Babës.
Sipas denoncimit, 13 persona kanë marrë lëndime serioze, në mesin e tyre edhe tre fëmijë të moshës 2, 4 dhe 6 vjeçare.
Nga MPB sot për rastin në fjalë janë prononcuar për Klan Maqedoni duke dhënë detaje rreth aksidentit.
Sipas policisë në këtë aksident trafiku kanë qenë të implikuar dy vetura “Audi” dhe një “Nisan”, të gjithë me targa të Shkupit.
“Me datë 07.05.2023 në ora 13:40 në SPB Shkup është raportuar se në rrugën lokale Bërnjarcë-Stajkovcë, Shkup, ka ndodhur një aksident trafiku mes automjetit “Audi” me targa të Shkupit, i drejtuar nga një i mitur nga Shkupi, automjet i pasagjerëve “Nissan” me targa të Shkupit i drejtuar nga I.B.(35) nga fshati Straçincë i Shkupit dhe automjeti “Audi” me targa të Shkupit i drejtuar nga A.M.(30) nga fshati Nikishtanë, Shkup” – thonë nga MPB.
Në këtë aksident, sic percjell KlanM komunikatën e MPB-së, lëndime të rënda trupore ka marrë vozitësi I.B dhe bashkudhëtarët në automjetin e tij, L.B (25), S.B (62) dhe Z.B (37) të gjithë nga Straçinca e Shkupit, kurse lëndime trupore ka marrë vozitësi A.M dhe tetë bashkudhëtarë nga tre automjetet e aksidentuara, që janë konstatuar në kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” dhe Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “Shën Naumi i Ohrid”. /KlanMacedonia/