Gazetare: Ajnur Bafqari
Prokuroria kërkoi, ndërsa gjykata shqiptoi paraburgim për shoferin e kamionit të përfshirë në aksidentin tragjik në qarkoren veriore të Shkupit, ku si pasojë humbën jetën 4 persona. Sipas prokurorisë, shoferi 76 vjeçar nga Kosova, nuk i është përshtatur kushteve të rrugës dhe dendësisë së komunikacionit, me çka ka rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.
“Prokuroria Themelore Publike në Shkup lëshoi një Urdhër për të zhvilluar një procedurë hetimore kundër një shtetasi të Kosovës të dyshuar për ‘Krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik sipas nenit 300 paragrafi 2 në lidhje me nenin 297 paragrafi 1 të Kodit Penal’. Pasi ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik arratisjeje dhe mundësi për përsëritje të veprës, prokurori publik ka kërkuar nga gjykatësi i procedurës paraprake caktimin e masës së paraburgimit”- theksojnë nga Prokuroria Themelore Publike. – Prokuroria Themelore Publike.
Shoferi i kamionit, i përfshirë në aksidentin e së enjtes është i vetmi i mbijetuar. Ai teksa po drejtonte një kamion të tipit MAN me gjysmërimorkio, në një moment e humbi kontrollin, devijoi majtas, përplasi dhe depërtoi përmes barrierës metalike ndarëse dhe kaloi në korsinë e kundërt të autostradës, duke goditur frontalisht makinën e tipit BMW. Pas përplasjes së fuqishme, të dy automjetet janë përfshirë nga flakët, ndërsa katër personat që ndodheshin në veturën BMW kanë humbur jetën në vendngjarje. Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqet që çuan në këtë aksident me pasoja fatale. /Alsat.mk



