Aksion i madh nga Kosovë: Fillojnë arrestimet, ky është i arrestuari i parë në aksionin e Krimeve Ekonomike

Prokuroria e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve Ekonomike ka nisur një aksion policor me qëllim të arrestimit të disa zyrtarëve publikë, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aksioni është duke u zhvilluar në Komunën e Pejës.

I arrestuari i parë gjatë këtij aksioni është Bajram Muzlia, inspektor i ndërtimit në Komunën e Pejës.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës futet në Komunën e Istogut

Prokuroria së bashku me Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës ka nisur një aksion në Komunën e Istogut.

Këtë e ka konfirmuar nënkryetari i kësaj komune, Agim Ademaj

Ai ka thënë se njësia speciale ka hyrë në këtë komunë rreth orës 10:00 dhe se për këtë i kanë informuar paraprakisht.

Ademaj i pyetur se nëse ky hetim po bëhet për shkak të ndonjë keqpërdorimi, është shprehur se nuk ka informacione dhe se policia po kryen punët e saja.

“Po njësia speciale është në komunë dhe është duke i kryer punët e veta. Ata kanë hyrë në komunë rreth orës 10:00. Neve na kanë informuar mëherët për këtë”, ka deklaruar ai.

Njësia speciale e policisë raportohet se po kryen aksione edhe në komunat tjera.

Njësia e Krimeve Ekonomike zbarkon edhe në Komunën e Klinës

Përveç komunës së Pejës, ku kanë nisur arrestimet dhe bastisjet, ky aksion po zhvillohet edhe në Klinë.

Hetuesit e Krimeve Ekonomike kanë zbarkuar edhe në Komunën e Klinës, përkatësisht në Drejtorinë e Urbanizimit

Paralajmërohen bastisje dhe arrestime të këtyre zyrtarëve publik

Burimet brenda Prokurorit të Shtetit, njoftojnë se Prokuroria së bashku me Departamentin Special të Policisë së Kosovës për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, kanë filluar përgatitjet për realizmin e aksionit policor, cak i të cilit do të jenë disa zyrtarë publikë, të përfshirë në veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe jo vetëm.

Ky aksion përfshin bastisje në hapësirat zyrtare të komunës, drejtoritë respektive, si dhe në disa shtëpi e banesa private të personave të dyshuar, për të cilët tashmë është urdhëruar arrestimi dhe ndalimi i tyre.

Prokurori kompetent tashmë ka vënë në dispozicion të policisë një listë të gjerë të provave dhe pajisjeve elektronike, që duhet të jenë subjekt i sekuestrimit me rastin e bastisjeve, prova këto që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme hetimore kundër të dyshuarve.

Këto burime konfirmojnë se fokusi i hetimit të realizuar deri më tani nga Prokurori i Shtetit ka të bëjë me çështje që lidhen me drejtorinë e urbanizimit dhe të inspektimit, me theks të veçantë ka në fokus papërshtatshmërinë ligjore të disa lejeve të ndërtimit, si dhe dështimin e inspektorëve për të penguar ndërtimet në shkelje të ligjit. Mirëpo, ky nuk do të jetë fokusi i vetëm i këtij hetimi, për shkak se tashmë janë dhënë instruksione nga Prokurori i Shtetit edhe për vepra tjera penale dhe persona jashtë institucionit të komunës.

Subjekt i hetimit janë edhe disa operatorë ekonomikë, që operojnë në fushën e ndërtimit, në veçanti nga viti 2018 e këndej.

Në këtë aksion do të marrin pjesë dhjetëra hetues policorë, të asistuar nga Njësia Speciale, ndërsa aksioni do të mbikëqyret drejtpërdrejt nga Prokurori i Shtetit L.V.

Pas përfundimit të aksionit, mësohet se në selinë e Prokurorit të Shtetit në Prishtinë do të ketë edhe konferencë për media, ku do të jepen detaje lidhur me ecurinë e aksionit, historikun e hetimit, numrin e personave të arrestuar, provat e konfiskuara, dëmin e pretenduar si dhe përfitimet e kundërligjshme që dyshohet se janë realizuar nga zyrtarët e përfshirë në hetim.

Media posedon edhe detaje tjera të rëndësishme lidhur me këtë aksion, mirëpo, si çdo herë, për shkak të ndjeshmërisë së hetimit dhe me qëllim që lajmi të mos ketë ndikim negativ në mbarëvajtjen e këtij aksioni, tani për tani nuk do të publikojë më shumë detaje.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme