Policia ka zhvilluar më 13 qershor 2026 një aksion të gjerë kontrolli në komunikacion në rajonet e Kumanovës dhe Tetovës, duke shqiptuar gjithsej 114 sanksione për shkelje të rregullave të trafikut. Gjatë kontrolleve janë arrestuar shtatë persona, ndërsa janë sekuestruar gjashtë motoçikleta dhe një veturë. Kontrollet janë realizuar nga Njësia Mobile për Siguri në Trafik në periudhën nga ora 17:00 deri në 23:00, me fokus tek drejtuesit e motoçikletave, mopedëve, katërçikleve dhe trotinetëve elektrikë.
Në Kumanovë janë shqiptuar 43 masa për kundërvajtje dhe vepra penale. Nga to, 28 kanë qenë për drejtim motoçiklete pa helmetë mbrojtëse, ndërsa janë evidentuar edhe shkelje të tjera që lidhen me dokumentacionin e mjeteve dhe rregullat e komunikacionit. Gjithashtu janë zbuluar katër vepra penale, ku dy nga autorët kanë qenë të mitur. Të dyshuarit janë privuar nga liria për veprën penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik”, ndërsa janë sekuestruar tre motoçikleta dhe një veturë.
Në Tetovë janë shqiptuar 71 masa, prej të cilave 40 për drejtim motoçiklete pa helmetë, katër për drejtues të trotinetëve elektrikë dhe një numër masash për shkelje të tjera në komunikacion. Policia ka zbuluar edhe tre vepra penale dhe ka arrestuar tre persona për veprën penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik”, ndërsa janë sekuestruar tre motoçikleta.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se kontrollet e intensifikuara në trafik do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, duke apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të respektojnë rregullat për të rritur sigurinë në rrugë./Alsat.mk.
The post Aksion rrugor në Kumanovë dhe Tetovë: 114 sanksione, 7 të arrestuar dhe 7 mjete të sekuestruara appeared first on Alsat.



