Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Milosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq dhe Slobodan Jevtiq për krime lufte ndaj popullsisë civile.
Sipas njoftimit të Prokurorisë ata akuzohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e 8 civilëve shqiptarë.
Njëri prej viktimave thuhet se ishte vendosur në një grumbull drunjsh dhe ishte djegur për së gjalli.
“Për pesë të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në regjionin e Gjilanit, si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë (8) civileve shqiptarë, e konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjsh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli, kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftim.