Protesta e zhvilluar këtë të enjte para Kryeministrisë u shoqërua me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Mes folësve ishte edhe protestuesi Arben Kola. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se lëvizja qytetare nuk është kundër partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, por kundër mënyrës së qeverisjes në vend.
Më tej, u ndal te kushtet e punës së efektivëve të Policisë së Shtetit, duke pretenduar se ata përballen me vështirësi të mëdha, ndërsa u bëri thirrje të mos ushtrojnë presion ndaj të rinjve që marrin pjesë në protesta.
Kola iu drejtua gjithashtu forcave të rendit me një apel për të mos zbatuar, sipas tij, urdhra të padrejtë, ndërsa ngriti akuza politike ndaj drejtuesve të lartë të shtetit dhe qeverisë.
Arben Kola: Ne nuk jemi as kundër Europës, as kundër Amerikës, ne jemi kundër klikës. Ndërkohë që kryeministri harxhon 33 mijë euro me Ergys Agas e kriminelë të tjerë, policët punojnë në kushtet e viteve 97-98. Kushtet janë mizore! Prandaj policë ne jemi edhe për ju këtu në shesh!
Mos shantazhoni të rinjtë! Sepse rinia është duke vluar! Kjo rini po kërkon me ju tërheq zvarrë dhe ne kemi thënë jo. Kjo protestë do jetë paqësore deri në fund, por edhe fundi do e ketë një limit! Si një prind i dy fëmijëve do u them të mos zbatojnë urdhrat e shefave të policisë. E dimë që shumica kanë dalë në përgjimet e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë. Ne e dimë që kanë dalë! Prandaj populli nuk ka besim dhe mos abuzoni. I vetmi kryekriminel qe duhet te arrestohet edhe Edi Rama me Belinda Ballukun dhe ministrat e tij, Bajram Begaj edhe Sali Berisha.
The post Aktivisti Arben Kola: Policia ka proceduar protestuesit pa arsye, ne jemi këtu edhe për efektivët që trajtohen si lecka nga shefat e tyre! Do jetë tubim paqësor deri në fund, por ka një limit! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



