Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar këtë të premte se sulmi me armë kimike në Siri është ndërmarrë nga agjentë të shërbimeve sekrete të huaja, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Franca kishin deklaruar më herët gjatë javës se kanë prova që një gjë e tillë ka ndodhur, e së bashku me Britaninë e Madhe po konsiderojnë të kundërpërgjigjen me ndërhyrje ushtarake.
Rusia, e cila ka forca ushtarake të dërguara në Siri në mbështetje të qeverisë, ka paralajmëruar se sulmet ajrore amerikane rrezikojnë të nisin një luftë më të gjerë. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka theksuar ndërkohë se Lindja e Mesme është në “kaos” dhe se Lufta e Ftohtë “po rikthehet me forma hakmarrjeje”.
Antonio Guterres foli gjatë një takimi special të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur pikërisht nga Rusia. Në një tjetër zhvillim, inspektorë të pavarur të armëve kimike pritet të mbërrijnë në Siri gjatë së shtunës, pikërisht në zonën ku dyshohet të jetë kryer sulmi me armë kimike.
Gjatë informimit për mediet, këtë të premte, Lavrov tha se kishte “prova të parefuzueshme” se sulmi është ndërmarrë si pjesë e “fushatës rusofobike”, udhëhequr prej vetëm një shteti, emrin e të cilit gjithsesi nuk e përmendi.
Shtëpia e Bardhë është ende duke vlerësuar informacionet e shërbimeve sekrete dhe po bisedon me aleatët mbi mënyrën e kundërpërgjigjes.
Një delegacion i Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) pritet të nisë hetimin e vet në rajonin e Ghoutës Lindore, në Siri, megjithëse për këtë lëvizje nuk jepen shumë detaje për arsye sigurie.
Sulmi me armë kimike, i mohuar nga qeveria e presidentit sirian Bashar al-Assad, u krye në Douma të Ghoutës Lindore gjatë së shtunës së kaluar, duke vrarë dhjetëra persona. Kontrolli i qytetit tashmë ka kaluar nga rebelët tek autoritetet ushtarake siriano-ruse.