Intervistimi i ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, nga Prokuroria Speciale ka nxitur reagime nga zyrtarë të lartë të Qeverisë në detyrë, duke rikthyer akuzat për përfshirje politike të sistemit të drejtësisë dhe përpjekje për të njollosur figurat qeveritare.
E pikërisht për këto sulme, sot ka reaguar Shoqata e Prokurorëve të Kosovës.
Kjo shoqatë tha se i ka përcjellë me shqetësim reagimet publike të bëra së fundmi nga përfaqësues të subjektit politik GUXO dhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, pas veprimeve procedurale të ndërmarra nga Prokuroria Speciale në rastin që përfshin intervistimin e një zyrtari të lartë në cilësinë e të dyshuarit.
“Në mënyrë të veçantë, Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, Admir Shala, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim thuhet se prokurorët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe ata të Prokurorisë Speciale, veprojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe provat që rezultojnë nga hetimet.
“Akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve. Shoqata rithekson se kriteri i vetëm për vlerësimin e një prokurori është performanca profesionale, respektimi i ligjit dhe standardeve etike, dhe jo lidhje të supozuara apo të interpretuara politikisht”, thuhet në reagim, sipas KP.
Shoqata u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial, dhe “të përmbahen nga deklaratat që përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj punës së prokurorëve”.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë e Ushqimit, Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë dhe zyrën e një kompanie private të martën ka sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente të ndryshme.
Siç ishte konfirmuar nga Prokuroria, u intervistuan ministri Faton Peci dhe drejtori i AUV-së, Bekim Hoxha. E në raport të policisë rasti është cilësuar si “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. /Reporteri.net/