Gazetar: Mihajllo Donev
Babai i Vasill Jovanovit, i cili përplasi për vdekje 22-vjeçaren Frosina Kullakova, Zoran Jovanov, do të gjykohet për vepër më të lehtë, pasi prokuroria sot e ri-kualifikoi aktakuzën në rastin gjyqësor kundër tij, shkruan Alsat.
Zoran Jovanov nuk u paraqit fare në sallë, kështu që seanca u shty, por para kësaj, prokurori Aleksandar Markovski shpjegoi pse në vend të “shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”, Jovanov do të gjykohet për “rrezikim të sigurisë në trafik”.
“Duke pasur parasysh se prova të tjera dolën “post festum”, ishte e pashmangshme që situata e re faktike të sublimohej nën një kualifikim të ndryshëm ligjor. Është vepër pak më e lehtë, por ishte e pashmangshme për shkak të parimit të specialitetit”, tha Aleksandar Markovski, prokuror publik.
Prokurori Markovski tha se në këtë fazë nuk do të shpjegojë se cilat prova çuan në ri-kualifikimin e veprës, kështu që për momentin mbetet e paqartë pse Zoran Jovanov do të ndiqet penalisht për “rrezikim të sigurisë në trafik”, pasi fillimisht u akuzua se i lejoi të birit të drejtonte automjetin edhe pse e dinte se nuk kishte patentë.
Përpara se prokuroria ta bëj rikualifikim, Zoran Jovanov përballej me gjobë në të holla deri në dënim maksimal prej tre vite burg ndërsa tani, dënimi minimal për këtë vepër penale është gjobë në të holla, por dënimi maksimal me burg është një vit.
Babai i të ndjerës Kulakova akuzoi për mashtrim ligjor pas seancës së sotme dhe shprehu dyshime se e njëjta gjykatëse i udhëheq të dy lëndët. Lidhur me këtë, ai njoftoi edhe ngritje të kallëzimeve penale.
“Së pari, ta pyesim të gjithë veten, si është e mundur që e njëjta gjykatëse të gjykojë si Vason edhe babanë e tij? Personalisht jam i bindur se kjo është manipulim i sistemit AKMIS dhe ne nuk do ta lejojmë, do të kërkojmë që të formohet një Komision për ta hetuar këtë dhe do të ngremë kallëzime penale kundër të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë”, theksoi Todor Kulakov, babai i të ndjerës Frosina Kulakova.
As Zoran Jovanov dhe as avokati i tij Sasho Dukovski nuk u paraqitën në gjykatë, kështu që gjykatësja Snezhana Markovska e shtyu seancën për më 3 shtator. Markovska shpjegoi se ftesa për Jovanovin ishte dërguar, por gjykata nuk ka prova se ai e kishte marrë atë gjegjësisht Jovanovi nuk u gjet në adresën e evidentuar në gjykatë.
Djali i tij, Vasil Jovanov, u dënua nga Markovska me 20 vjet burg pasi më 29 janar në bulevardin “Aradhat Partizan” në Shkup pa patentë shoferi, në semafor të kuq, nën ndikimin e alkoolit dhe në kalim për këmbësorë, përplasi me makinë Frosina Kulakovën./ Alsat.mk