Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për punonjësin e Policisë së Sarandës, Ajdin Islamaj, në kuadër të një hetimi për ndërtim pa leje.
Sipas AMP-së, nga verifikimet ka rezultuar se në një pronë në emër të babait të tij, ku edhe banon efektivi i policisë, janë realizuar punime ndërtimore pa lejen përkatëse.
Hetimet kanë zbuluar shtimin e një kati mbi një objekt ekzistues dykatësh dhe ndërhyrje të tjera me qëllim përshtatjen e tij si hotel.
Ekspertët kanë konstatuar se bëhet fjalë për një ndërtim të ri, për të cilin kërkohej leje ndërtimi nga autoritetet kompetente.
Sipërfaqja e ndërtuar pa leje vlerësohet të jetë të paktën 159 metra katrorë, bën me dije AMP.
Njoftimi i plote:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka dokumentuar fakte dhe prova të reja që lidhen me procedimin penal 304/2026, ku është nën hetim edhe punonjësi i policisë Ajdin Islamaj në atë kohë me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Nga akti i ekspertimit teknik i administruar në kuadër të hetimit ka rezultuar se në pasurinë në pronësi të babait të shtetasit në hetim, ku Ajdin Islamaj banon janë kryer punime ndërtimore pa lejen përkatëse të organeve kompetente, duke konsistuar në shtimin e një kati mbi një objekt ekzistues dykatësh, si dhe ndërhyrje të tjera ndërtimore e rikonstruktive me qëllim ndryshimin e destinacionit të objektit në funksion akomodimi (hotel).
Sipas konkluzioneve të ekspertëve të licencuar, struktura e realizuar përbën ndërtim të ri në kuptim të legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit dhe për kryerjen e saj kërkohej pajisja me leje ndërtimi nga autoritetet kompetente.
Nga verifikimet e kryera nuk rezulton të jetë miratuar ndonjë leje ndërtimi për realizimin e këtij kati shtesë.
Nga hetimet ka rezultuar se sipërfaqja e ndërtuar pa leje është jo më pak se 159 m² me funksion hotel.
Gjithashtu, bazuar në analizën e pamjeve satelitore dhe hetimeve eshte provuar se punimet janë realizuar gjatë vitit 2025, kohë ne të cilën edhe ka mbuluar zonen.
AMP vlerëson se respektimi i ligjit duhet të jetë standardi i parë dhe i panegociueshëm për çdo punonjës policie. Besimi i qytetarëve tek institucionet e zbatimit të ligjit cenohet rëndë kur vetë funksionarët publikë dyshohet se shkelin ligjin që kanë detyrimin ta zbatojnë dhe ta mbrojnë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale, identifikimin e çdo personi të përfshirë dhe verifikimin e rrethanave që kanë mundësuar realizimin e këtyre ndërtimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e vendosur në misionin e saj për të goditur çdo formë paligjshmërie, pa asnjë dallim funksioni, detyre apo pozicioni, duke garantuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se integriteti i uniformës mbrohet përmes zbatimit të paanshëm të ligjit.
The post Akuzohet për ndërtim pa leje, lihet në arrest shtëpie efektivi në Sarandë (EMRI) appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



