Florenc Çapja vjen me pranga në duar në Rinas. I konsideruar prej vitesh si një prej më të fortëve të Elbasanit, në fakt, më shumë për shkak të të ekspozuarit të tij dhe familjes së madhe Çapja, ai iku në Dubai ku fitoi edhe të drejtën e qëndrimit me vendim gjykate.
Atje qëndroi prej kohësh, ndërsa ndaj tij, gjykatat në Shqipëri vendosën arrest me burg dhe një vendim me burg të përjetshëm për vrasjen e dyfishë të babë e bir 13 vjet me parë. Historitë gjakësore të Elbasanit, në fakt, kanë prodhuar aq shumë të fortë dhe krim të organizuar, sa Çapja është vetëm njëri prej tyre, teksa janë me dhjetëra emra që kanë trazuar jo vetëm Elbasanin, por deri edhe në kupolë të shtetit.
Florenc Çapja, sipas policisë, është ekstraduar, por, në fakt, shteti shqiptar nuk ka marrëveshje ekstradimi me Dubain, pasi atje gjenden një pjesë e mirë e personave të shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të disa operacioneve të bujshme ku janë goditur çeta vrasësish me pagesë dhe eksponentë të krimit të organizuar në vend.
DEPORTIMI I ÇAPJAS
Florenc Çapja, 44 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm pasi u akuzua se porositi një vrasje të dyfishtë dhe i vënë nën akuzë për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, mbërriti pasditen e djeshme në aeroportin e Rinasit. I shoqëruar nga forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pamjet treguan momentin kur ai dërgohet me shpejtësi nga shkallët e avionit, në automjetin e policisë. “The Wanted”, e ka koduar Policia e Shtetit operacionin i cili u finalizua me autoritetet emiratase, duke e çuar kështu në 3 numrin e të shumëkërkuarve të mbërritur nga Dubai, pas Julian Meçajt dhe Plarent Dervishit: “Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua me sukses arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit F. Ç., 44 vjeç, të lindur në Elbasan”, njofton policia.
AKUZAT NDAJ ÇAPJAS
44-vjeçari është i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve. Florenc Çapja, së bashku me xhaxhain e tij Ardian Çapja, janë të dënuar me burgim të përjetshëm me vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012. Gjithashtu, ndaj 44- vjeçarit kishte një tjetër mandat për kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se ka porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ishkryebashkiakut, Qazim Sejdini, plan që nuk u realizua.
Kjo akuzë u formulua nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të operacionin “Plumbi i Artë”, përftuar nga dëshmitë e vrasësit me pagesë që ka marrë statusin e të penduarit të drejtësisë. Ardian Çapja është i burgosur prej disa vitesh, por nipi i tij, Florenci mundi t’i shpëtonte arrestimit, pas rrëfimeve të kreut të grupit të vrasësve me pagesë, Nuredin Dumani, duke u fshehur në Dubai, ku dhe nisën procedurat për arrestim dhe ekstradim. Vitet e fundit grupi “Çapja” sipas përgjimeve, hetimeve dhe rrëfimeve të Dumanit, kishte hyrë në ‘konflikt të përgjakshëm’ edhe me organizatën e Suel Çelës, po në Elbasan.
Gjithashtu, Florenc Çapja është nën akuzë për një atentat të mbetur në tentativë ndaj ishefektivit të Rrugores në Elbasan, Fadil Mema, ngjarje e ndodhur në vitin 2006. Kjo dosje aktualisht ndodhet për rigjykim në Gjykatën e Elbasanit pasi Gjykata e Lartë zhbëri një vendim të vitit 2019 që pushoi çështjen. Në fillim të janarit të këtij viti SPAK kërkoi konfiskimin e pasurive të sekuestruara Florenc Çapjas pasi që prej vitit 2022 nisi një hetim pasuror. Nga 10 pasuri të sekuestruara dhe që SPAK kërkon që t’i kalojnë në shtetit, 8 janë në emër të babait dhe nënës së Florenc Çapjas, të gjitha në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, që konsiderohet si bazë e grupit të strukturuar kriminal të Çapjave.
VRASJA NË ‘BESË’
Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.
Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri.
Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, si dhe Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.
/Gazeta Panorama