Janë publikuar pamjet e momentit kur Davide Pecorelli, i akuzuar për inskenimin e vdekjes së tij në Pukë në vitin 2021, mbërriti në Rinas pas ekstradimit nga Italia. 50-vjeçari italian shihet i shoqëruar nga forca të shumta sigurie, me pranga në duar, ndërsa zbret nga avioni.
Për Pecorellin, Gjykata e Pukës ka lëshuar urdhër arresti që në vitin 2022, mbi akuza për veprat penale “Mashtrim”, “Dhunim i varreve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se në vitin 2021 ka djegur automjetin me të cilin lëvizte në fshatin Gjegjan, Pukë, me qëllim që të inskenonte vdekjen e tij. Pas arrestimit në Itali, ai u ekstradua sot drejt Shqipërisë për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij.
Njoftimi i policisë:
Interpol Tirana
Akuzohet se inskenoi vdekjen e tij,në vitin 2021, në Pukë,ekstradohet nga Italia,shtetasi italian.
Në vijim të bashkëpunimit shumë të mirë ndërmjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma,u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri,të shtetasit italian,të shpallur në kërkim ndërkombëtar, D. P., 50 vjeç.
Në vitin 2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi akuza për veprat penale: “Mashtrimi”, ”Dhunimi i varreve”, ”Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ”Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.
Në vitin 2021, ky shtetas dyshohet se ka djegur automjetin me të cilin lëvizte në fshatin Gjegjan, Pukë, me qëllim inskenimin e vdekjes së tij.
******
Biznesmeni italian do të duhet të vuajë 4 vite burg për mashtrim, përdhosje varresh dhe pengim të drejtësisë.
Më parë ai ka deklaruar se shqetësimi i tij i vetëm janë familja e tij.
“Nuk kam frikë. Jam i shqetësuar për familjen time, fëmijët e mi, babain dhe vëllain tim me aftësi të kufizuara”, ka thënë ai.
Për vendimin e dorëzimit të tij në duart e drejtësisë shqiptare, ai ka thënë se po i bëhet një padrejtësi e madhe dhe se po trajtohet si një qytetar i dorës së dytë.
“Një vendim i vështirë për të pranuar më bën të mendoj për një plan përndjekjeje. Nuk e kam mohuar kurrë të kem kryer krime në Shqipëri dhe kam kompensuar dëmet përtej vlerës së tyre, si në rastin e makinës që i kisha vënë flakën. Nuk kam precedentë penalë dhe jam ish-oficer ushtrie, një sipërmarrës që u kam dhënë punë qindra njerëzve të tjerë”.
Ai ka njoftuar se do të nisë procesin për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Gruaja e tij është shqiptare, ata u martuan në dhjetor 2023. Ashtu si djali i tij. Sapo të marrë nënshtetësinë, ai do të heqë dorë nga shtetësia italiane sepse ndihet i “tradhtuar” nga vendi i tij, sipas mediave italiane.
Ai ishte zhdukur nga Italia në janar 2021 kur falsifikoi vdekjen e tij në Shqipëri për t’i shpëtuar kreditorëve të tij.
Makina me qira u gjet në flakë në Pukë me disa mbetje njerëzore brenda. Më pas ai u gjurmua pas disa kohësh në Itali, pranë ishullit Montecristo.