Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit pas arrestimit dhe deportimit të një politikani serb në Kosovën veriore.
Arrestimi i drejtorit të zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq të hënën, është incidenti i parë që kur Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.
Serbia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.
Incidenti ngjalli një luftë të fjalëve mes dy qeverive, duke e akuzuar njëra tjetrën për organizimin e një skenari, raporton “Al Jazeera”, transmeton Periskopi.
Gjuriq hyri në Kosovë për një takim në Mitrovicë, duke sfiduar autoritetet e Kosovës, pa paralajmërim.
Duke folur me gazetarët të martën, Gjuriq pohoi se arrestimi i tij ishte një provë për një përpjekje të mundshme nga policia e Kosovës për të marrë përsipër pjesën veriore të Kosovës, ku jeton një shumicë serbe.
Shumë analistë politikë dhe komentatorë në mediat sociale kanë argumentuar se arrestimi i Gjuriq ishte një orkestrim, të dizajnuara në mënyrë që liderë të caktuar të mund të shtynin agjendat e tyre në rajonin e paqëndrueshëm.
“Ajo që ndodhi dje në Mitrovicë ka të gjitha tiparet e një krize të drejtuar, secila për arsyet e veta, nga Beogradi dhe Prishtina, ndërsa Gjuriq ishte vetëm një aktor shtesë,” komentoi një gazetar serb, Dejan Anastasijeviq.
“Autoritetet në Beograd, si dhe ata në Prishtinë, herë pas herë duhet t’i kujtojnë bashkësisë ndërkombëtare se ata i mbajnë çelësat e luftës dhe paqes në Kosovë,” shtoi ai.
Duke folur për gazetat kosovare, Vuçiq provokoi autoritetet e Kosovës: “”Po ju them se do ta lëshoni [lejen.] Nëse e lëshoni apo jo, ata do të vijnë në veri të Mitrovicës. Hajde, më lejoni të shoh se çfarë do të bëni për këtë çështje.”
Menjëherë pas kësaj, qindra policë kufitarë të armatosur rëndë u vendosën përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë, si dhe Mitrovicë, në pritje të ardhjes së Gjuriq.
“Ardhja e Gjuriq, qartësisht shihet për të provokuar autoritetet e Kosovës në përdorimin e forcës jo-proporcionale,” tha profesori i studimeve të Evropës Lindore, Florian Bieber.
“Nëse ekziston një element i fshehtë ndërmjet dy qeverive është e pamundur të thuhet, por është një lloj incidenti që përfitojnë dyjat. Qeveria serbe mund të mblidhet kundër qeverisë së Kosovës dhe të rrisë kërkesat e saj në bisedimet e normalizimit bazuar në sjelljen ‘e paarsyeshme’ të qeverisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës mund të festojë aftësinë e saj për arrestimin e një zyrtari serb në veri, veçanërisht pak ditë pasi u konkretizua marrëveshja e demarkacionit, që nacionalistët e quajnë tradhti dhe heqje dorë nga toka. Kështu pra, të dy qeveritë dalin fitues,” shtoi ai.