Gazetare: Melihate Rustemi
Denoncimet e rrejshme për bomba në shkollat e vendit u rikthyen sërish. Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar se sot në e-mailet zyrtare të disa institucioneve arsimore në Shkup dhe qytete të tjera të vendit janë marrë njoftime për vendosjen e mjeteve shpërthyese. Pas këtyre raportimeve MPB-ja ka ndërmarrë të gjitha masat ndërsa nga kontrollet e kryera rezulton se bëhet fjalë për njoftime të rreme. Gjithashtu, MPB-ja bën thirrje për qetësi dhe shmangien e përhapjes së dezinformatave për ngjarje të tilla, të cilat gjatë ditës së djeshme janë regjistruar edhe në vende të tjera të rajonit.
“Po bashkëpunojmë me partnerët tanë të Interpolit dhe Europolit, dhe kemi disa pista nëse mund të themi kështu. Komunikojmë edhe me kolegët nga Kroacia që para ca ditësh u përballën me këtë situatë. Bisedohet për rreth 240 denoncime, por falënderoj policinë që reaguan shpejt dhe pa ngritur panik, bënë kontrollet ku duhej bë sipas protokollit. Atje ku parametrat ishin pozitive mësimi rinisi shpejt, atje ku kishte nevojë u bënë kontrolle shtesë por pamë se gjithkund bisedohej për denoncime të rreme. Tani për tani nuk do doja të ndaj më shumë informata sepse mund të dëmtojmë hetimin, por duket që dikush ka për qëllim të ngre panik tek qytetarët”, deklaroi Aleksandar Janev, Shef i Byrosë për Siguri Publike.
Ndër shkollat që pranuan paralajmërime për bomba janë ato të komunave Qendër, Gazi Babë, Butel dhe Aerodrom. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska apeloi punonjësit e arsimit që për çdo lloj komunikimi të vënë në shfrytëzim vetëm e-mailet zyrtare.
“Komunat, nën kompetencë të së cilave janë shkollat gjithashtu kanë detyrimet e veta ,edhe pse një numër i madh i shkollave kanë, propozojmë që gjithkund sipas mundësive te angazhohen sigurime fizike dhe te instalohen video mbikëqyrje. Gjithashtu, shkollat duhet qe në këtë periudhë të ndjeshme të jenë të kujdesshëm rreth asaj se kush dhe si hyn në objekt”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Gjithashtu, nga Byroja për Siguri Publike bën të ditur se nga sot, policia në mënyrë shtesë do të bisedojë me të gjithë drejtorët e shkollave për t’u dhënë instruksione të sakta se si duhet vepruar në rast të përsëritjes së denoncimeve të tilla. /Alsat.mk