Nëntë artistët në ekspozitë, deri në mars të këtij viti, në këtë hapësirë luajnë me territorin, hapësirën, kombet e përshkuara, duke i zgjeruar konceptet e mendjes, kujtesës e historisë.
Cila është eksperienca e një shteti që nuk është i bazuar në territor por në kohë? Në vitin 1992, nën rrethana të ndryshme historike por me një reflektim politik në momentin bashkëkohor, kolektivi artistik slloven NSK u shndërrua në një aparatus shtetëror të quajtur Shteti në Kohë. Edhe pse sot nuk ka territor, The State in Time është shtëpi virtuale e rreth 15 mijë banorëve në mbarë botën, shumë prej tyre artistë.
The State – Shteti, ka pasaportë dhe u mundëson banorëve të drejtën e pjesëmarrjes, duke provokuar veprime derisa banorët punojnë në sistemin e edukimit, formimin e miteve, ushtrisë, prodhimin e folk kulturës.
Një koncept i tillë pak a shumë është ai që e përqafon një ekspozitë që hapet me datë 8 shkurt në The James Gallery në Nju Jork.
E mes emrave të artistëve, një paralele e fuqishme ngrihet. Alban Muja nga Kosova, dhe Marina Abramoviq nga Serbia, kjo një prej artisteve më të mira në botë.
Alban Muja – Catch me
Alban Muja, artist i njohur në Kosovë por edhe jashtë kufijve, do të jetë i pranishëm në këtë ekspozitë me dy punë të tij artistike. Ai ka treguar për KultPlus rreth dy veprave që vijnë si pjesë e ekspozitës ku janë pjesëmarrës edhe Ulay, Yael Bartana, Danica Dakić, Pablo Helguera, Ištvan Išt Huzjan, Nebojša Šerić-Shoba dhe Mladen Stilinović, shkruan KultPlus.
“Catch me” e vitit 2007, e realizuar në kufirin Meksikë-Amerikë, dhe e cila flet për lirinë e lëvizjes dhe bëhet aktuale sot më shumë se kurrë marrë parasysh politikat e presidentit të ri Donald Trump, dhe filmi “Blue wall red door”, e vitit 2009, pjesë e simpoziumit. Një simpozium do të mbahet me 9 shkurt në James Gallery, ku Muja merr pjesë si panelist krahas Vorug Bogelnik, Eda Čufer, Pablo Helguera, Ištvan Išt Huzjan, Charles Lewis dhe Conor McGrady.
Alban Muja – Blue Wall Red Door
Ekspozita “NSK State Art: New York, The Impossible Return” ka për qëllim të krijojë një mekanizëm për shkëmbim dhe për të formuar relacione humane njerëzore, të qëndrueshme, që tejkalojnë kufijtë, në një realitet i cili po krijon kufij, mure, territore të ndara, barriera.
Nëntë artistët në ekspozitë, deri në mars të këtij viti, në këtë hapësirë luajnë me territorin, hapësirën, kombet e përshkuara, duke i zgjeruar konceptet e mendjes, kujtesës e historisë, shkruan KultPlus.
Ekspozita ka për kuratorë Katherine Carl dhe Tevz Logar dhe prezantohet në bashkëpunim me NSK State Pavilion në Bienalen e Venecias 2017. / KultPlus.com