(E plotësuar 21:33) – Kurti paralajmëron vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje , Albin Kurti ka folur për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Kurti deklaroi se do ta vendos përsëri reciprocitet ndaj Serbisë, përcjell “Bota sot”.
Ai tha se kjo do të jetë njëra ndër punët e para që do të bëj ai, pasi të bëhet kryeministër i Kosovës.
“Vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë është ndër punët e para të qeverisë sime, është çështje ditësh apo javësh dhe jo muajsh”, deklaroi Kurti.
Kreu i VV-së, Albin Kurti ka deklaruar se pas rrëzimit të qeverisë në kohën e pandemisë, është e domosdoshme që t’i kenë 61 deputetë në mënyrë që ta bëhet funksionale qeverisja
Kurti komentet i bëri në një debat me analistët në RTV Dukagjini ku po merr pjesë së bashku me Vjosa Osmanin.
Ai ka theksuar se e kanë qytetarin në plan të parë, për t’i mundur mujsharrët dhe ata të korruptuarit.
Lideri i VV-së, ka shtuar se ish-pushtetarët po i frikësohen popullit.
Osmani: Qytetarët nuk kanë frikë nga ne, prandaj na besojnë aq shumë
Kandidatja për presidentet nga radhët e LVV-së, Vjosa Osmani u shpreh se qytetarët nuk kanë nga frikë nga ajo dhe Kurti për të bërë totalitarizëm.
“Sa i përket grafiti nuk kemi kohë t’i humbim minutat në këtë emision.
Bashkëpunimi që kemi ndërtuar me LVV-në, Kurtin dhe Konjufcën dhe çdo anëtarë tjetër është i shkëlqyeshëm dhe përtej pritshmërive tona.”
“Nuk po flasim për udhëheqje një partiake. Qytetarët nuk kanë frikë nga ne prandaj na besojnë kaq shumë. Nuk kemi dhënë ndonjë shenjë të totalitarizmit”, u shprehë ajo në RTV Dukagjini.
Slogani ‘Krejt dhe Drejt’, ja cili është shpjegimi i Albin Kurtit
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti ka komentuar sloganin e VV-së Krejt dhe Drejt.
Kurti ka thënë se me këtë nuk po mendojnë pushtetin por daljen e qytetarëve në votime.
“Për besë nuk ka të bëjë asgjë me ato insinuata ose imagjinata. Ne kur themi drejtë mendojmë të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin në referendum sepse kemi bërë koalicionin parazgjedhor dhe rrjedhimisht i kemi shndërruar zgjedhjet në referendum sepse situata është e tillë”, tha Kurti.
“Duhet bërë një prerje në mes të keqpërdorimeve dhe një rikthimi te qeverisja e mirë e pranverës 2020 që zgjati gjithsej 50 ditë”, shtoi ai.
“Nuk ka të bëjë me pushtetin. S’ka të bëjë me pushtetin, Ka të bëjë me qytetarët që të dalin në zgjedhje në referendum mandej krejt duhet të dalin”, tha Kurti.
Ai tutje deklaroi se do të ecin drejtë pa devijimet dhe korruptimet.
Kurti tregon domethënien e fjongave të kuqe në Prishtinë
Kandidati për kryeministër i VV’së, Albin Kurti, ka komentuar fjongot e kuqe të cilat i ka vendosur partia e tij në rrugët e kryeqytetit.
Kurtit iu bë pyetja duke thënë se shumë njerëz e kanë krahasuar këtë veprim si pjesë e ideologjisë komuniste, ndërsa kandidati për kryeministër këtë vepër të VV’së e lidhi me 14 shkurtin – që konsiderohet dita e të dashuruarve.
“Ato janë fjongo të kuqe që i kanë vendosur simpatizantët tanë dhe nuk kanë të bëjnë me ato akuza që na bëhen neve.
Të dielën e 14 shkurtit, qytetarët do t’iu drejtohen vendvotimeve është dita e Shën Valentinit, dita e zemrave dhe dita e dashurisë, nuk e di çfarë problemi mund të kenë ata me këtë”, ka thënë Kurti.