Pas takimit me Lulzim Bashën, aleatët kanë dalë në një vendim të përbashkët duke pranuar propozimin e kreut të PD-së për djegien e mandateve parlamentare.
I pari që foli ishte kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili tha se opozita e bashkuar e ka detyrim të djegë moral të largohet nga Parlamenti me këtë qeveri të korruptuar.
“Kemi koalicion politik dhe elektoral me PD, ndaj e kemi detyrim moral me ata që na kanë besuar votën se Rama nuk mund të qeverisë më. Besoj se do jetë një vendim unanim jo vetëm i deputetëve, por të gjithë atyre që kanë kandiduar në siglën e Partisë Demokratike. Kemi një Parlament që bazohet në votën e lirë, por përballë kemi situarë problematike”, – u shpreh Mediu.
Vangjel Dule (PBDNJ)
“Opozita e bashkuar parlamentare është në kushtet e institucioneve të saj, që nuk mbaron me djegien e mandateve të Parlamentit ilegjitim, që i jep fund qeverisjes ilegjitime të Ramës. Ky vendim do mbështetet nga populli, ku do funksionojë shteti i së drejtës, ku zëri i qytetarit të jetë detyrim. Misioni është i vështirë dhe i rëndë”.
Nard Ndoka (Partia Demokristiane)
“Mbështetje maksimale për aksionin opozitar, ai duhet ta lexojë qartë protestën e qytetarëve, pasi Rama është kapur duke vjedhur zgjedhjet dhe besoj se është momenti i reflektimit nga ai, jo vetëm për mandatin si deputet, por edhe për atë për kryeministër. Nëse ai nuk reflekton, është detyra jonë si opozitë t’i tregojmë mënyrën si të largohet”.
Dashamir Shehi (LZHK)
“Sa të jetë rama aty, do na shihni bashkë, kjo është e mbyllur, ato mandate nuk na bëjnë ndonjë punë të madhe, besoj se erdhi dita”.
Agron Duka (Partia Agrare Ambientaliste)
“Jam për zgjedhje institucionale përmes parlamentit, por meqë opozita e bashkuar ka marrë vendim të djegë mandatet, vendosëm edhe ne të iknim”.
Basha: Votat u vodhën, parlamenti jo legjitim
Në fund ka folur edhe Basha, i cili konfirmoi vendimin e grupit të tij parlamentar për djegien e mandateve.
“Sot ka ndodhur një akt i paprecedentë në historinë e pluralizmit, të tjerat janë budallallëqe për të devijuar të vërtetat, Rama nuk është më kryeministër i Shqipërisë. Është kapur nga prokuroria dhe Zëri i Amerikës duke vjedhur zgjedhjet e 2017. Prandaj u bë dhe protesta. Ne sot jemi keq e më keq, është kolapsi i arsimit, ekonomia, kriza sociale, emigracioni që po zbraz Shqipërinë, – tha kreu i PD-së. – Rama dhe qeveria e tij janë produkt i bashkëpunimit të krimit e oligarkëve. Asnjë nuk e shpjegon sesi zhvendoset lumi i Lanës për të mbrojtur pronën e një trafikanti droge. Ky është një moment bashkimi, ndërgjegjësimi, do ketë një të ardhme për shqiptarët dhe kjo s’do të jetë e ardhmja e krimit”.