Kreu i BDI-së Ali Ahmeti në një konferencë të thirrur për mediat, shmangu pyetjet e gazetarëve dhe ruajti heshtjen disaditore nga kjo parti, lidhur me polemikat pas vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Tetovë e Çair. Ahmeti nuk u dha asnjë mundësi gazetarëve për pyetje, por ndoqi agjendën e tij, nga një vizitë private me ministrin Liburn Aliu, lidhur me rrugën Tetovë -Prizren.
Është e gjashta ditë që nga shpërthimi i polemikave pas vizitës së Kurtit dhe përdorimit të ikonografisë nxitëse, siç e quajti opinioni maqedonas, lidhur me valëvitjen e banderolës “autoktones” dhe flamurit me hartën e Shqipërisë së Madhe. Asnjë koment as për emrat e rrugëve që u përuruan, madje, asnjë qëndrim edhe për thirrjen në polici një ditë më parë të krerëve të komunave të Tetovës e Çairit, Kasami e Ganiu, të cilit ishin organizuar pritjen. Pas komunikimeve dhe interesit të shumtë nga ALSAT, vetëm mbrëmë vonë, kreu i Aleancës për Shqiptarët, partner qeveritar shqiptar në qeveri, Arben Taravari deklaroi se çdo kryeministër është i mirëpritur, dhe përshëndeti emrin e ri të rrugës Adem Demaçi.
“Unë mendoj se nuk ka as vepër dhe asgjë për t’i thirrur në stacione policore dhe mendoj se është e tepruar. Mendoj se një kryeministër i një shteti fqinj, siç është Albin Kurti, është i mirëseardhur gjithkund, në të gjitha komunat shqiptare, por besoj edhe në komunat tjera të RMV-së. Emërtimin e rrugës Adem Demaçi e përshëndes dhe uroj që në sa më shumë komuna të kemi ndryshim të emrave të rrugëve,” deklaroi Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Pas reagimit të institucioneve më të larta të vendit, dje, edhe Kosova reagoi përmes presidentes, Vjosa Osmani, e cila tha se institucionet e Maqedonisë së Veriut duhet të respektojnë rolin shtetformues që komuniteti shqiptar ka pasur dhe ka në ndërtimin e shtetit. Valëvitja e flamurit të Shqipërisë së Madhe , sipas presidentes Osmani, nuk ishte e organizuar, por lëvizje e një qytetari, duke hedhur poshtë akuzat publike në Maqedoninë e Veriut për gjoja organizim të qëllimshëm. /alsat.mk