Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë një interviste për “Zërin” pranon se shqiptarët do të dalin edhe më të dobët nga zgjedhjet e së dielës, duke akuzuar kështu ndikimet nga jashtë. Ai flet edhe për rastet “Monstra” dhe të “Kumanovës”, për akuzat që i bëhen për korrupsion prej 5 milionë euro nga “Maxhar Telekom”, etj.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrime (BDI), Ali Ahmeti, pranon se pas zgjedhjeve të së dielës (sot), shqiptarët do të zënë edhe më pak vende në Parlamentin e Maqedonisë dhe sipas tij, në parcializim të votës së shqiptarëve ka pasur ndikime nga jashtë.
Ai përmend ndikimet nga Rusia dhe Turqia për t’i dobësuar politikisht shqiptarët dhe akuzon subjektin më të ri politik shqiptar, lëvizjen “Besa” që një pjesë të imamëve në xhamia i ka shndërruar në zëdhënës politikë të kësaj partie, të cilët, siç thotë ai, dënojnë çdo gjë shqiptare në këtë shtet. Këto komente Ali Ahmeti i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke mos e mohuar se dy xhami në Çair të Shkupit janë jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame, Komunë kjo që udhëhiqet nga nënkryetari i partisë së tij, por se, sipas tij, numri dy i BDI-së nuk është imam i xhamisë, por kryetar i Komunës. Gjatë kësaj interviste për “Zërin” Ahmeti flet për rastet “Monstra” dhe të “Kumanovës”, për akuzat që i bëhen për korrupsion prej 5 milionë euro nga “Maxhar Telekom”, për mospjesëmarrjen me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë nga Papa në Vatikan, etj.