Gazetar: Suad Bajrami
ALSAT ka siguruar në mënyrë ekskluzive pr/ligjin e shumëpërfolur për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili sipas informatave tona pritet të jetë në tryezë për miratim në Qeveri, të martën e ardhshme. Ligji, për herë të parë, si nocion juridik, e ngre parimin kushtetues të përfaqësimit në nivel të ligjit. Me këtë, ai zëvendëson mekanizmin e Balancuesit, i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar. Qëllimi i ligjit është që të rregullojë respektimin, avancimin dhe ndjekjen e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të komuniteteve në të gjitha nivelet e pushtetit.
Fryma e ligjit bazohet në amendamentin VI të Kushtetutës dhe i obligon institucionet që të kujdesen për respektimin e përfaqësimit të komuniteteve nëpër institucione, megjithatë duke pasur kujdes diskriminimin e qytetarëve dhe duke mbajtur llogari për përgatitjen profesionale, kompetencën, integritetin, transparencën dhe gjithëpërfshirjen.
Për t’u shmangur obligimi i dalë nga Gjykata Kushtetuese që qytetarët të mos detyrohen të deklarojnë përfaqësimin e tyre etnik, pr/ligji parashikon që deklarimi i përkatësisë etnike të mbetet në vullnetin e vetë qytetarit. Alsat mëson se në bazë të gjuhës së letërnjoftimit, dokumenteve të tjera shtesë, si dhe kryqëzimit të informacioneve nga të dhënat personale të kandidatit, do të përcaktohet dhe përkatësia etnike e tij kur të konkurroj për vendin e punës.
Për punësimin e etniteteve, institucionet do të marrin për bazë të dhënat nga regjistrimi i fundit i popullsisë. Në rast se në ndonjë institucion ka numër të ulët të përfaqësimit të ndonjërit prej komuniteteve, atëherë ligji lejon që ai komunitet të trajtohet me vëmendje të veçantë dhe preferencë dhe me këtë, nuk llogaritet se bëhet diskriminim ndaj komuniteteve të tjera, pasi është në drejtim të përmbushjes së parimit kushtetues.
Zbatimin e ligjit të ardhshëm do ta ndjekë një trup i formuar nga Qeveria, i cili do të bëjë analiza dhe do të hartojë raporte e rekomandime në raste të mosrespektimit të ndonjërës prej dispozitave.
Në ligj, pavarësisht se nuk ka dispozitiv ndëshkues në rast të moszbatimit, njëri nga nenet e propozuar ia jep forcën Komisionit Anti-Diskriminin si monitorues i trupit koordinativ qeveritar për vendimet që merren lidhur me punësimet. Ligji thekson se trupi koordinativ do të drejtohet nga njëri prej zv/kryeministrave, por pa theksuar taksativisht etninë e zv/kryeministrit. Struktura e trupit koordinues, përveç zv/kryeministrit përfshin ministra, agjencinë për nëpunësit administrativë, një përfaqësues nga Avokati i Popullit, një nga Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, dhe një përfaqësues nga komuniteti akademik.
Në afat prej gjashtë muajsh pasi të hyjë në fuqi, do të miratohen dhe aktet nënligjore për të precizuar zbatimin përkatës. Pritet të shihet pesha e akteve nënligjore dhe rregullimi i rasteve konkrete përmes tyre. Ndërkaq, në po të njëjtin afat 6-mujor, Qeveria do të bëjë kontroll ndaj të gjitha ligjeve që lidhen me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Megjithatë, për të ardhur deri këtu, ligji duhet të kalojë filtrin e Komisionit të Venecias, menjëherë pasi qeveria ta dërgojë atë me prioritet. Pas marrjes së mendimit nga Venecia, në rast se nuk ka vërejtje, ligji do të dërgohet në Kuvend për miratim. Përmes kësaj forme, qeveria ka lënë mundësinë që faza e amendimit të ligjit dhe debati publik t’i referohet efikasitetit të ligjit dhe politizimit të tij. /Alsat.mk