Gazetar: Adrian Kerimi
Alternativa sot në mbledhjen e organeve drejtuese të partisë ka caktuar kandidatët për ministra dhe zëvendësministra. Orhan Murtezani do të jetë ministër për Eurointegrime ndërsa Safije Sadiki-Shahini zëvendësministre në Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive. Lulzim Aliu është caktuar për zëvendësministër të arsimit. Pas vendimit të Alternativës, koalicioni VLEN thuajse ka kompletuar kandidatët e saj në qeverinë e re. Ditë më parë Lëvizja Besa propozoi emrat e dy ministrave. Fatmir Limani për Ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Besar Durmishi kandidat për Ministër i Ekonomisë dhe Punës, ndërsa Sedat Sulejmani kandidat për zëvendësministër i Kulturës dhe Turizmit. Arben Taravari do të jetë ministër i Shëndetësisë, ndërsa për zëvendës në Bujqësi dhe Mbrojtje lakohen emrat e Flakron Bexhetit dhe Elfete Ismailit. Izet Mexhiti do të jetë Ministër i Ekologjisë dhe do të udhëhiqet si zëvendëskryeministër i parë, ndërsa Zëvendëskryeministër për Qeverisje të mirë pritet të propozohet Arben Fetai. Zëvendësministër i Brendshëm pozita e cila do t’i takon subjektit të Izet Mexhtiti, jo zyrtarisht mësohet se do të propozohet emri i Muamet Ametit.
Në kuadër të VMRO-DPMNE, sipas informacioneve jo zyrtare Timço Mucunski mund të propozohet për ministër të Jashtëm, ndërsa Aleksandar Nikollovski për ministër të Transportit dhe Lidhjeve. Vllado Misajllovski mund të propozohet ministër i Mbrojtjes ndërsa Pançe Toshkovski akoma nuk është definuar nëse do të jetë sekretar i përgjithshëm i Qeverisë apo do të mbetet ministër i Brendshëm. Për ministre të arsimit përflitet emri i Vesna Janevskës. Në Bujqësi lakohet emri i Svetan Tripunovski, ndërsa për Kulturë dhe Ministrinë e Energjetikës emrat do të mësohen nga mbledhja e organeve të partisë të dielën kur Hristijan Mickoski ka ftuar Komitetin Qendror dhe atë Ekzekutiv.
Edhe partia ZNAM e Maksim Dimitrievskit ka propozuar emrat për ministra. Në Drejtësi mandatarit i është propozuar Igor Filkov, ndërsa në Administratë Goran Minçev.
Përveç në ekzekutiv, nga VMRO-DPMNE-ja kanë buruar edhe emra të kandidatëve jashtë ekzekutivit. Ish ministri i Financave, Zoran Stavrevski përflitet për Guvernator, ndërsa ish kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski për drejtor në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore. /Alsat.mk