Alternativa e Gashit, Likovë: Mashtrimi me projekte të vonuara nuk e mbulon dështimin 20-vjeçar me përzënien e rinisë

“Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga lufta dhe gati 20 vjet qëkur BDI është në pushtet, e vetmja gjë që shihet në Komunën e Likovës është bekatonizimi i rrugicave, madje edhe kjo e realizuar sipas bindjeve partiake të atyre lagjeve.

Përveç talljes që ia bëjnë zonës së Likovës me tre lopata rërë, dy ujë e një çimento, është për keqardhje që shkojnë zgjedhje e vijnë zgjedhje, ndërsa tema qendrore mbetet ujësjellësi. Njësoj si në poezinë e Nolit “pranë detit i palarë”: Likova i jep ujë Kumanovës, por jo vetvetes. Ky është “suksesi” i tyre. Në vend se ujësjellësi të kishte përfunduar moti dhe ne të kishim folur tashmë për projekte zhvillimore, ata e mbajnë gjallë temën e ujësjellësit dhe me të përpiqen të fitojnë vota.

Informacionet tona flasin se ata qëllimisht i lënë edhe punët e tjera të zvarriten, sepse ashtu synojnë t’i përkthejnë në vota. Kështu, disa trotuare ose rrugica, që është dashur të përfundojnë vitin e kaluar, ata i kanë lënë për këtë vit, pra sa më afër zgjedhjeve, pavarësisht se qytetarët e Komunës së Likovës vazhdojnë ta vuajnë çdo ditë infrastrukturën e keqe.
Pyetja legjitime është se pse nuk është asfaltuar deri më tani rruga Ropalcë-Mateç, kur dihet se kjo rrugë i lidh qytetarët e Komunës së Likovës me Shkupin? Edhe sa cikle zgjedhore duhet të marrin vota për ta bërë atë rrugë?
Se sa e duan ata Likovën dhe sa kanë punuar për të flet fakti se ajo ende gjendet në hartën e vendeve të rrezikshme për investime dhe është zona më e varfër e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ky është “suksesi”, më saktë turpi, i BDI-së në Likovë.

Si rezultat i këtij dështimi, sot në Komunën e Likovës, rrugëve të fshatrave sheh më shumë pleq të pensionuar sesa të rinj. Tashmë çdo ditë dëgjojmë për të rinjtë ose për ndonjë familje që e ka braktisur vendin e ia ka mësyrë Perëndimit, gjithë kjo pikërisht për shkak të kushteve të vështira në të cilat BDI-ja e ka lënë për këto 20 vjet këtë popullatë.
Sa për ilustrim, po e përmendim vetëm një statistikë, që na ra në sy këtyre ditëve në patronatin e shkollës fillore në Sllupçan. Kështu, në SHF “Faik Konica” të Sllupçanit prej vitit 2007/2008, numri nxënësve është zvogëluar për 378 nxënës (më 2007/8 – 1.056 nxënës, kurse në vitin 2020/2021 – 678 nxënës). Ndërkaq ata vazhdojnë të flasin edhe më për “suksese”. Edhe turpi skuqet nga BDI-ja. Nëse kjo vazhdon kështu, ka shumë gjasë që kur ndonjëherë këto punë të kryhen, të mos ketë kush t’i gëzojë.

Dhe, sikur të mos mjaftonte ky poshtërim, ata çdo vit vijnë në Likovë dhe azdisen me emrin e UÇK-së, ndërsa nuk turpërohen për gjendjen në të cilën e kanë lënë vatrën më të rëndësishme të UÇK-së.
Megjithatë, duke e ditur se gjithçka e ka një fund, fundi i turpshëm i tyre tashmë po shihet në horizont” – thonë nga AlternAtivA – Likovë.

 

 

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme