Ditëve të fundit shohim se eksponentë të lartë qeveritarë pozojnë në vende të mbyllura e të hapura pa mbajtje të maskave, që për qytetarët e tjerë janë të detyrueshme dhe ata, madje, ndëshkohen për mosmbajtje të tyre. Siç e pamë, para do ditëve vetë kryeministri, Zaev, e ministri i Shëndetësisë, Filipçe, pozuan pa maska dhe pa distancë, ndërsa dje Ali Ahmeti me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, dhe krejt ministrat e kësaj partie, ishin mbledhur bashkë, që të festojnë ditëlindje patetike në kohë pandemie, edhe ata pa maska e pa distancë, gjithë kjo në kohën kur qytetarët gjobiten gjithandej për maska.
Prandaj, AlternAtivA e pyet ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, se për kë vlen dënimi për maska në këtë shtet? A vlen ky dënim vetëm për qytetarët e rëndomtë që nuk janë në pushtet apo për të gjithë qytetarët njësoj? Nëse përgjigjja juaj është e dyta, atëherë ne presim që ju t’i dëshmoni opinionit se Ministria e Punëve të Brendshme i ka dënuar këta persona për mosmbajtje të maskës. Vetëm atëherë ju do të keni të drejtë të vazhdoni t’i dënoni qytetarët për mosmbatje të maskës. Në të kundërtën, ju nuk keni moral për të shqiptuar më dënime dhe kjo do të jetë dëshmi se juve ju ka rënë maska dhe jua ka zbuluar fytyrë e vërtetë të një qeverisje që ka për qëllim t’i rrjepë qytetarët për t’u azdisur pushtetarët.
Shkup, 05.01.2021 AlternAtivA – Shkup