Partia Alternativa ka kritikuar komunen e Tetoves per mosvënien ne funksion te autobusëve të transportit publik.
“Përderisa autobusët e blerë me paratë e qytetarëve te Tetovës amortizohen duke qëndruar në parking, ndërsa drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” merr rrogë për menaxhimin e ndërmarrjes jofunksionale, komunikacioni në Tetovë mbetet i ngulfatur.
Në këto ditë vere, kur Tetova ndjehet e kompletuar me praninë e bijve të saj nga mërgimi, Komuna e Tetovës ende nuk i lëshon në qarkullim autobusët e parkuar që nga muaji janar. Kjo është arsyeja që AlternAtivA – Dega Tetovë kërkon nga kryetarja e Komunës së Tetovës që urgjentisht t’i fusë në shërbim të qytetarëve autobusët e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, me çka sadopak do të duhej të lehtësohej komunikacioni i stërngarkuar. Ajo duhet ta ketë mësuar leksionin se nuk fitohen pikë të imëta politike duke i vonuar projektet dhe duke i lëshuar ato në vigjilje të zgjedhjeve lokale të tetorit.
Qytetarët e Tetovës nuk janë sklerotikë, siç i pandeh kryetarja Arifi. Sidoqoftë, dëshirojmë t’ia bëjmë me dije kryetares së Tetovës se planet e saj me prapavijë fushate dhe në dëm të qytetarëve do të dështojnë keq, pasi që tetovarët kësaj radhe nuk do ia harrojnë keqmenaxhimin në çdo fushë dhe ajo në tetor do ta marrë përgjigjen e merituar!”, thuhet ne reagimin e Alternativës – Dega Tetovë