Djegia e kopjes së Kuranit përpara ambasadës turke në Suedi “nuk ka të bëjë fare me lirinë”, tha drejtori i Komunikimeve pranë Presidencës së Türkiye-s, Fahrettin Altun, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ka një dallim të madh midis lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes. Ky incident promovon dhunën kundër muslimanëve, veçanërisht muslimanëve në Suedi”, tha Altun në një intervistë me të përditshmen suedeze Dagens Nyheter.
Rasmus Paludan, lideri i Partisë “Stram Kurs” (Linja e Rreptë), nën mbrojtjen e policisë dhe me lejen e qeverisë, dogji një kopje të Kuranit të shenjtë jashtë Ambasadës së Türkiye-s në Stockholm të shtunën, duke shkaktuar reagim të gjerë në botën islame.
Duke krahasuar djegien e Kuranit me “Kristallnacht-in”, ose Natën e Xhamave të Thyer, kur nazistët kryen një pogrom kundër hebrenjve gjermanë në vitin 1938, Altun tha: “Në incidentin ‘Kristallnacht’, nazistët dogjën faqet e Tevratit. A do ta përkufizonin autoritetet suedeze sot një gjë kaq të neveritshme si liri e shprehjes?”
Duke i kujtuar Suedisë memorandumin trepalësh, ku përfshihet edhe Finlanda, i cili u nënshkrua në samitin e NATO-s qershorin e kaluar për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Türkiye-s, Altun tha: “Qeveria suedeze bëri disa zotime ndaj Ankarasë në Madrid, por ata nuk i kanë përmbushur premtimet e tyre”.
Gjithashtu, duke folur për anulimin e vizitës së planifikuar të ministrit suedez të Mbrojtjes Pal Jonson në Türkiye nga Ankaraja në përgjigje të lejes së Suedisë për të djegur Kuranin e Shenjtë, ai tha: “Nuk ka kuptim të takohemi nëse Stokholmi nuk do t’i marrë seriozisht shqetësimet e Ankarasë”.
I pyetur nëse qeveria e re suedeze po bën përpjekje të mjaftueshme në rrugën e saj për t’u anëtarësuar në NATO, Altun tha se Türkiye “tradicionalisht” mbështet zgjerimin e NATO-s dhe në këtë kontekst, ajo nuk e kundërshton pjesëmarrjen e Suedisë në NATO në parim.
“Suedia ka ndërmarrë disa hapa për të adresuar shqetësimet e Ankarasë, por mund të them se është e pamjaftueshme për të përmbushur të gjitha kërkesat”, tha ai, duke shtuar se Ankaraja u ka bërë thirrje autoriteteve suedeze t’i qëndrojnë fjalës. Altun tha se Türkiye nuk kërkon nga Suedia asgjë që nuk dëshiron nga aleatët e NATO-s.
Lidhur me pyetjen se sa mund të zgjasë procesi në fjalë, Altun tha: “Procesi do të zgjasë aq sa nevojitet. Nëse ju kujtohet, Greqia vuri veto për hyrjen e Maqedonisë në NATO për 10 vjet për një arsye të thjeshtë, duke u arsyetuar në emrin Maqedoni. Türkiye ka shqetësime shumë më serioze. Këtu bëhet fjalë për sulme terroriste ku kanë humbur jetën mijëra njerëz të pafajshëm”.
Gjithashtu, qëndrimi i Ankarasë ndaj Suedisë nuk ka të bëjë me marrëdhëniet Türkiye-SHBA, tha ai, duke shtuar se “Suedia është i vetmi vend që mund ta futë Suedinë në NATO”.
Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n majin e kaluar, duke braktisur politikën disadekadëshe të mosangazhimit ushtarak, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt 2022.
Por Türkiye, anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, shprehu kundërshtime, duke akuzuar të dy vendet se tolerojnë dhe madje mbështesin grupet terroriste, duke përfshirë organizatën terroriste PKK dhe organizatën terroriste FETO.
Qershorin e kaluar, Türkiye dhe dy vendet nordike nënshkruan një memorandum në samitin e NATO-s për të adresuar shqetësimet legjitime të sigurisë së Ankarasë, duke hapur rrugën për anëtarësimin e tyre përfundimtar në aleancë.