Alvin Berisha bëhet lajm ndërkombëtar, ja çfarë shkruan Zëri i Amerikës

Një djalë shqiptar që ishte marrë në Siri nga e ëma kur ajo u bashkua me grupin Shteti Islamik, u lirua nga një kamp ndalimi në Sirinë verilindore dhe po kthehet në shtëpinë e tij në Itali, thanë zyrtarë të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe të enjten.

Historia e 11 vjeçarit Alvin që u gjend i vetëm pa familje në kampin al-Hol, pasi nëna e tij vdiq në mes të luftimeve në Sirinë verilindore, mbërtheu vëmendjen e opinionit publik në Itali pasi një emision televiziv lajmesh njoftoi lidhur me përpjekjet e dëshpëruara të të atit për ta rikthyer të birin në shtëpi.

Evakuimi vjen gjithashtu në një kohë kur relievi strategjik në verilindje të Sirisë po ndryshon. Forcat e udhëhequra nga kurdët që drejtojnë kampin po bashkëpunojnë së fundmi me qeverinë siriane, pasi Shtetet e Bashkuara tërhoqën trupat pas vitesh që luftonin ISIS-in së bashku.

Fillimi i bashkëpunimit të kurdëve me Damaskun i hapi rrugën lirimit të Alvinit dhe fluturimit me avion me një eskortë të Gjysmëhënës së Kuqe nga qyteti verilindor Qamishli në kryeqytetin sirian Damask, jo përmes Irakut verior. Të enjten pasdite ai po hynte në Liban.

Rreth 70 mijë vetë janë aktualisht në kampin al-Hol, kryesisht gra dhe fëmijë, përfshirë 11 mijë të huaj. Është objekti më i madh që mban njerëz të lidhur me ISIS-in. Disa të ndaluar të tjerë janë kthyer në vendet e tyre si Franca, Rusia dhe Australia. Por lirimi i Alvinit ishte rasti i parë që u mundësua nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kur dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

“Shpresoj që kjo të sjellë njëfarë paqeje si edhe perspektivën e rimëkëmbjes së kësaj familjeje, tha presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Francesco Rocca, që u përfshi personalisht në rastin e Alvinit. Ne mundemi dhe duhet të përqendrohemi tek fakti që ka ende 68 mijë vetë, dy të tretat e të cilëve fëmijë, që jetojnë në kampin al-Hol”

“Lajmi i sotëm është pozitiv por është një pike uji në një oqean vuajtjeje”, shtoi ai.

Para pesë vjetësh, mamaja e Alvinit u bashkua me ISIS-in dhe e mori atë me vete në territoret që kontrollonte organizata terroriste. Pasi nëna e tij vdiq, lajmi u mor vesh konfidencialisht përmes programit “Rivendosja e Lidhjeve Familjare” të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Përmes programit, i ati i identifikuar si Afrim Berisha në emisionin italian “Le Iene” mori një mesazh nga i biri: Alvini ishte gjallë, i vetëm në al-Hol dhe donte të kthehej në shtëpi. Sot, gjuha e vetme që Alvini flet rrjedhshëm është arabishtja.

I ati i Alvinit kërkoi ndihmën e Kryqit të Kuq dhe pas negociatave me autoritetet italiane dhe shqiptare, djali ka tani një pasaportë shqiptare dhe leje për të qëndruar në Itali me familjen e tij.

Rasti fitoi vizibilitet nga emisioni satirik me format reviste televizive, që shkoi në al-Hol me të atin për një bashkim të prekshëm me të birin para dy javësh.

Megjithatë ai nuk u lejua ta merrte djalin me vete. Sipas njoftimeve, autoritetet kurde nuk pranuan ta dorëzonin djalin sepse nuk ishte asnjë zyrtar shqiptar i pranishëm. Kështu i ati, u kthye duarzbrazët në Itali, ku është banor i përhershëm.

Kështu media sociale dhe opinioni publik u mobilizuan duke arritur të vënë në lëvizje vullnetin politik. Presioni në rritje në rajonin e Lombardisë, ku ishte rritur djali, bëri që këshilli rajonal të miratonte një rezolutë për të sjellë djalin në shtëpi.

Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe hapën negociata me autoritetet italiane dhe shqiptare për të siguruar dokumentat dhe autorizimet e duhura. Të mërkurën djali e kaloi natën në një dhomë me një spikolog dhe të enjten u dërgua në Ministrinë e Jashtme siriane.

Një numër vendesh evropiane kanë ngurruar të lejojnë ish-anëtarë të ISIS-it dhe të afërm të tyre të kthehen, por mobilizimi i opinionit publik duket se ia arriti të bëhej një përjashtim në rastin e Alvinit.

Edhe Shqipëria nuk i ka tërhequr shtetasit shqiptarë nga kampi Al-Hol. Ministrja e shtetit Elisa Spiropali gjatë një interpelance në parlament në fillim të kësaj jave se afro 500 persona nga Ballkani janë ende aty, 150 janë shqiptarë, 72 janë nga Shqipëria, 11-13 burra të klasifikuar si terroristë në burgjet e kontrolluara nga forcat kurde.

Ajo tha në interpelancën e kërkuar nga një numër deputetësh për informacion për rastin e Alvinit, se 28 fëmijë shqiptarë janë identifikuar të jenë në kamp.

Mbështetur tek agjencia e lajmeve Associated Press

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme