Ambasada amerikane kërkon nga politika respektimin e vendimit për “Drenica 2”

Reagimet e ashpra të disa prej ish-figurave të dalluara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas shpalljes se aktgjykimit për grupin Drenica 2, të cilët ndër të tjerash verdiktin e gjykatës e vlerësuan si persekutim ndaj të dënuarve, nuk i kanë bërë përshtypje ambasadës amerikane, që ka kërkuar të respektohet vendimi i gjykatave në çdo rrethanë.

“Qytetarët kosovarë, përfshirë edhe politikanët, kanë të drejtë ta shprehin mendimin e tyre për çdo çështje.  Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës, proceset ligjore dhe institucionet duhet të respektohen.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se asnjë person nuk është mbi ligjin.  Shtetet e Bashkuara e respektojnë vendimin e sotshëm të gjykatës”, ka thënë zëdhënësja e ambasadës, Michelle Schohn.

Ambasada ka kërkuar që të respektohen vendimet gjyqësore “madje edhe – veçanërisht –  kur ato vendime mund të jenë në kundërshtim me opinionin e përgjithshëm.”

Gjykata e Apelit ka vërtetuar të hënën aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të datës 27 maj të vitit të kaluar duke mbajtur në burg të gjithë të dënuarit në rastin e njohur si “Drenica 2”.

Sylejman Selimit ia kanë ulur një vit burg në 7 nga 8 sa është dënuar, ndërsa Isni Thaqit nga 7 vite sa është dënuar nga Gjykata Themelore i është zbritur dënimi në 6 vite e 6 muaj. Ndërsa, Zeqir e Jahir Demakut nga 7 vjet në 6 vjet.

Vendimi i Gjykatës së Apelit nxiti reagimin e ashpër të disa prej deputetëve të cilët kanë qenë pjesë e UCK-së.

Deputeti i AAK-së, që ka qenë një nga udhëheqësit e luftës në rajonin e Dukagjinit, Daut Haradinaj, ka thënë se “dënimi i udhëheqësve të Drenicës nuk është gjë tjetër veç vazhdim i persekutimit të figurave rezistente të luftës dhe pas luftës.”

“Por ju djem sot jeni më të mëdhenj për mua sesa gjithë ata që ju persekutuan. E di se si ndjeheni sonte por besoj qe kjo histori do përfundojë shpejtë”.

Fjalën persekutim për të përshkruar vendimin e gjykatës e ka përdorur edhe deputeti Fatmir Limaj, i njohur gjatë luftës si “Çeliku.”

“Dje u dënuan zërat e parë të UÇK-së, ata që vullnetarisht ja ofruan jetën e tyre lirisë së Kosovës. Unë dhe familja ime e dimë shumë mirë çka është persekutimi në liri, në lirinë të cilën ende se kemi shiju”, ka shkruar Limaj.

Ndërsa deputeti nga partia më e madhe opozitare, Rexhep Selimi, që është i afërm i Sylejman Selimit, ka thënë se Sylejman Selimi është më i madh se çdo lloj dënimi, duke shtuar se rrugëtimi i të dyve ka qenë përmes pritave e sfidave./Insajderi.com