Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ditë më parë ka paralajmëruar liderët kosovarë se nëse vazhdojnë me iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale do të merren masa të rrepta ndaj tyre.
Në medie javë më parë është raportuar se Ambasada e SHBA-së në Prishtinë nuk i ka dhënë vizë kryeministrit Ramush Haradinajt për të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” në Uashington pikërisht për shkak të qëndrimit të tij ndaj Gjykatës Speciale, si dhe për demarkacionin me Malin e Zi.
Por Brian Corteville, konsull në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka deklaruar se ende nuk janë përcaktuar masat individuale, pasi është një diskutim që po ndodh brenda Ambasadës.
Konsulli i kësaj të fundit megjithatë shpreson se këshilla e tyre do të dëgjohet nga liderët, në të kundërtën mosdhënia e vizave është një ndër masat që mund të merret.
Corteville nuk ka dashur të komentojë për çështjen e vizës së kryeministrit Haradinaj, me arsyetimin se nuk mund t’i komentojë vizat individuale.
Gjatë kësaj interviste për “Zërin” konsulli Corteville ka folur për fillimin e procesit të dhënies së vizave emigruese në Prishtinë për qytetarët e Kosovës, për vizat që mund t’i marrin këtu pa u detyruar të shkojnë në Ambasadën e SHBA-së në Shkup.