Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për fjalimin e mbajtur në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë, ku foli për një president të përbashkët.
Në një njoftim nëpërmjet rrjetit social Twitter, thuhet se gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje.
“Ambasada e SHBA-ve mbeti e zhgënjyer nga deklarata e kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”, thuhet në deklaratën e ambasadës të shpërndarë përmes dy postimeve në Twitter.
Reagimi i Ambasadës mbërrin një ditë pasi në një intervistë ekskluzive për “Top Channel”, kryeministri Rama tha se fjalia është shkëputur nga konteksti.
“Nuk bëra asnjë deklaratë! Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, deklaroi Rama.