Ambasada e SHBA-së në Beograd ka reaguar sot me rastin e dhënies së pllakës së Xhandarmërisë serbe komandantit të parë të kësaj njësie policie në Serbi, Goran Radosavleviq- Guri, më 30 qershor, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e suksesshëm.
“Goran Radosavleviq Guri ishte në krye të kampit ku u gjetën eshtrat e tre shtetasve amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi”, njoftoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi në profilin e saj në Twitter.
Ambasada gjithashtu kujton se Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Radosavleviq për shkak të përfshirjes së tij në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.
“Ai duhet të përballet me drejtësinë, jo të marrë nderime”, thuhet në reagim.
Radosavleviq, ish-komandanti serb i Xhandarmërisë serbe nga 2001 në 2004, mori një pllakë nga komandanti i Xhandarmërisë Dejan Lukoviq në ngjarjen qendrore që shënonte Ditën e Xhandarmërisë në Novi Sad, më 30 qershor 2021.