Gazetar: Mihajllo Donev
Ambasada e SHBA-së në vend po ndjek nga afër zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë dhe kërkon të respektohet ligji, thotë ambasadorja Angella Ageler, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me njoftimet për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit, si dhe të pesë anëtarëve të Këshillit gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi. Ageler nuk deshi të komentojë shkarkimin e mundshëm të Kocevskit, por tha se Shtetet e Bashkuara janë duke e monitoruar situatën në gjyqësor.
“Nuk kam koment. Jam e informuar dhe po e ndjekim procesin. Sipas njohurive të mia, procedura ligjore tashmë është duke u zhvilluar dhe sigurisht që po e ndjekim. Edhe ne po e ndjekim nga afër këtë proces. Është e qartë se prej vitesh kemi vënë në dukje se në raport me Këshillin gjyqësor, por edhe për aspekte të tjera të sistemit gjyqësor, ka procedura ligjore dhe sipas njohurive të mia, ai proces është në vazhdim dhe po e monitorojmë nga afër situatën dhe duam të shohim që ligji të respektohet”, deklaroi Angella Ageler- ambasadore e SHBA-së.
Ndërkaq, Ministria e drejtësisë tashmë është duke përgatitur propozimin për shkarkimin e prokurorit publik republikan, Lupço Kocevski, i cili duhet të dërgohet në Qeveri.
“Ministria e drejtësisë është duke përgatitur Propozimin për shkarkimin e Prokurorit publik të shtetit, pas së cilës do ta dorëzojë në Qeveri për procedim të mëtejmë nga Këshilli i prokurorëve publikë. Afat për dorëzim nuk ka”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Pasi Qeveria t’ia kalojë Këshillit, anëtarët do të kenë dy javë kohë për të përgatitur mendimin dhe pavarësisht qëndrimit të tyre, shkarkimi i Kocevskit do të vihet në tryezë para deputetëve. Pikërisht në institucionin ligjvënës, me shumë gjasa do të mbahet seanca në fillim të marsit për interpelancat e pesë anëtarëve të Këshillit gjyqësor të dorëzuara nga shumica, por edhe nëse deputetët votojnë interpelancat, janë anëtarët ata që në fund do të duhet të vendosin nëse do të japin dorëheqjen dhe do të tërhiqen nga Këshilli gjyqësor. /Alsat.mk