Ambasadat turke në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë pritje për Ditën e Republikës së Turqisë

Me rastin e 96-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë, Ambasadat e Turqisë në Shkup, Tiranë dhe Prishtinë kanë organizuar pritje solemne me pjesëmarrjen e zyrtarëve tw lartw dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Me 29 tetor, Turqia shënon 96-vjetorin e shpalljes së Republikës, ndërsa për shënimin e kësaj dite ambasadat turke në rajon organizojnë aktiviteteve të ndryshme të tilla si pritje solemne.

Gjatë ceremonive të organizuara nga ambasadat turke në kryeqytetet e këtyre tre vendeve të rajonit u lexua edhe mesazhi i presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e Ditës së Republikës.

Ambasada turke në Shkup: Turqia dhe Maqedonia e Veriut me rënjë të thella historike, kulturore dhe humanitare

Në pritjen e organizuar nën patronazhin e ambasadores turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, morën pjesë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetari i “Alternativa” Afrim Gashi, ministra, deputetë, politikanë, myfti, përfaqësues të organizatave dhe institucioneve turke në vend, biznesmenë, kryetarë komunash, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, ambasadorja Kara theksoi se Republika e Turqisë u themelua më 29 tetor të vitit 1923 si rezultat i sakrificës së popullit turk që fitoi Luftën e Pavarësisë. “Vendi ynë me fuqinë që merr nga populli dhe me përkushtimin ndaj shprehjes së Ataturkut ‘Paqja në vend, paqja në botë’ kontribuon për paqen dhe stabilitetin e vazhdueshëm në nivel rajonal dhe global”, tha Kara.

Ajo theksoi se Turqia do të vazhdojë luftën kundër terrorizmit në të ardhmen, edhe pse, siç tha ajo, nuk merr solidaritetin që dëshiron nga miqtë e saj.

“Turqia, e cila ka mirëpritur rreth 4 milionë sirianë, po kontribuon në reduktimin e presionit të fluksit të migrantëve në Ballkan dhe në Evropë”, theksoi Kara.

Kara theksoi se midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut ka rënjë të thella historike, kulturore dhe humanitare.

“Besoj plotësisht se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ynë me Maqedoninë e Veriut do të zhvillohet më tej duke u bazuar në përfitimin e ndërsjelltë, përmes vizitave të larta që do të realizohen në periudhën e ardhshme. Vendi ynë, siç ka qenë deri më tani, edhe më tej do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zhvillimin, prosperitetin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, si dhe integrimin e saj në institucionet euro-atlantike”, tha Kara.

Më tej, Kara tha se mandati i saj si ambasadore në Maqedoninë e Veriut po mbaron, duke njoftuar se përparësia e saj ishte zhvillimi i marrëdhënieve midis dy vendeve, arritja e zgjidhjeve për problemet e komunitetit turk në Maqedoninë e Veriut me autoritetet lokale, si dhe lufta kundër pranisë së organizatës terroriste FETO në vend.

Ambasada turke në Tiranë: Jemi krenarë që jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri

Të pranishëm në pritjen zyrtare të organizuar në Tiranë ishin nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ambasadorë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri dhe të ftuar të tjerë.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij përshëndetëse tha se edhe pas 100 vjetësh, Turqia është gati të qëndrojë me të njëjtën vendosmëri përballë çfarëdo lloj vështirësie apo rreziku që synon kombin dhe sigurinë kombëtare.

“Edhe me të gjitha përpjekjet tona, kërcënimi i terrorizmit me origjinë nga Siria nuk është ndaluar dhe gjithmonë si pikësynim ka pasur vendin tonë. Gjatë dy viteve të fundit, organizata terroriste PKK/YPG ka sulmuar Turqinë me qindra herë”, u shpreh Yörük, duke shtuar se operacioni ‘Burimi i Paqes’ ishte jashtëzakonisht i përpiktë për tërheqjen e organizatës terroriste PKK/YPG nga një zonë e sigurt prej 30 km nga kufijtë e Turqisë.

Ai tha se Turqia është në një rajon me fqinjë të paqëndrueshëm dhe me shumë sfida, duke shtuar se, “Ne i bëjmë ballë këtyre sfidave në një mënyrë të vendosur dhe parimore, të udhëhequr nga thënia e famshme e Mustafa Kemal Ataturkut: ‘Paqe në atdhe, Paqe në botë’ “.

Ambasadori Yörük theksoi se ndërsa festojnë 96-vjetorin e Republikës së Turqisë, gjithashtu festojnë 96-vjetorin e ‘Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit të Përjetshëm’ midis Turqisë dhe Shqipërisë.

“Jemi krenarë që jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri në shumë fusha strategjike si financa, telekomunikacioni, aviacioni civil, shëndetësia, minierat, industria, arsimi, energjia dhe infrastruktura. Jemi krenarë që jemi partneri i 3-të më i madh tregtar i Shqipërisë”, tha Yörük.

Ai theksoi se Shqipëria ka një rol kryesor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe se Turqia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).

“Ne besojmë se një Shqipëri e fortë ekonomikisht dhe politikisht si anëtare e plote e BE-së , është në interes të Turqisë, si dhe të Ballkanit dhe të Evropës”, u shpreh më tej ambasadori turk, u shpreh ai.

Ambasadori turk po ashtu theksoi se “ndërsa po përkujtojmë themeluesin e Republikës sonë Gazi Mustafa Kemal Atatrkun, bashkëluftëtarët e tij dhe të gjithë veteranët tanë, ne me respekt kujtojmë gjithashtu dhe dëshmorët tanë që humbën jetën duke mbrojtur vendin tonë, duke luftuar kundër organizatave terroriste dhe duke i rezistuar përpjekjes së pabesë të grushtit të shtetit 15 Korrikut nga Organizata Terroriste e Fetullah Gülenit”.

Ambasada turke në Prishtinë: Miqësia Kosovë-Turqi është e fortë

Në ceremoninë e organizuar në Pristhinë mori pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, diplomatë të huaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të komunitetit turk në Kosovë, përfaqësues të bashkësive fetare, përfaqësues nga shoqëria civile, si dhe kryetarë komunash e qytetarë.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se Turqia vazhdon të gëzojë marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën dhe se miqësia midis dy vendeve është e fortë.

“Lidhjet zyrtare dhe vizitat, kontaktet njerëz me njerëz vazhdojnë të lulëzojnë për çdo ditë. Komuniteti turk në Kosovë dhe fëmijët e kosovarëve të emigruar në Turqi përbëjnë lidhje të forta miqësie midis vendeve tona. Përtej dialogut tonë të fortë politik, marrëdhëniet tona dypalëshe ekonomike vazhdojnë të zhvillohen”, tha Sakar.

Duke iu referuar marrëveshjes së tregtisë së lirë të nënshkruar midis Kosovës dhe Turqisë në vitin 2013 në Ankara, Sakar theksoi se kjo marrëveshje do t’i ndihmojë dy vendet në rritjen e investimeve dhe tregtisë dypalëshe.

Ai shtoi se Turqia do të vazhdojë t’i kushtojë rëndësi të madhe mirëqenies së miqve në Kosovë, duke mbështetur gjithashtu edhe, siç tha ai, sovranitetin, integritetin territorial, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu ishte i pranishëm në këtë ceremoni i shoqëruar me disa nga ministrat e kabinetit të tij, shprehu kënaqësi për ftesën ndaj tij për të marrë pjesë në këtë ceremoni.

Ai duke uruar ambasadorin turk në Prishtinë dhe Turqin për Ditën e Republikës, shprehu dëshirën, siç tha ai, “për bashkëpunim dhe miqësi më të madhe në mes të dy popujve, të Kosovës dhe Turqisë”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme