Gazetare: Fatlume Dervishi
Ministria e Punëve të Jashtme pret që ambasadori bullgar në Shkup të përcjell mesazhin në vendin e tij, edhe pse ai ka refuzuar të pranojë me shkrim notën e protestës për mungesën e flamurit të vendit gjatë fotografimit të dy presidentëve Siljanovska dhe Radev. Ky institucion një ditë më parë kishte deklaruar se pret kërkim faljeje nga Sofja.
“Në takimin e djeshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në të cilën nga ana jonë, verbalisht dhe me shkrim u shpreh shqetësimi për shkak të devijimit nga protokolli i dakorduar për fotografimin e Presidentes Siljanovska Davkova dhe Presidentit Radev, ambasadori i Bullgarisë, Zheljasko Radukov, refuzoi ta pranonte. Sqarojmë se ambasadori Radukov është njohur verbalisht me të gjithë përmbajtjen e notës dhe refuzimi i pranimit të saj nuk do të thotë se mesazhet e përcjella në këtë takim kanë rëndësi të ndryshme apo më të vogël”, thanë nga Ministria e Jashtme.
Vizita e të premtes e presidentes Gordana Siljanovska Davkova në Sofje u përcoll me vëmendje dhe u pasua me kritika. Në fotografitë dhe incizimet e asaj dite, Siljanovska dhe Radev shtrëngojnë duart kurse në të dy anët është vetëm flamuri bullgar. Presidentja, në intervistë për Tv Sitel, nuk dëshiron të besojë se akti ka qenë i qëllimshëm por thotë se protokolli i saj duhet të ishte informuar.
“Unë, kur ne u nisëm mendova se do të shkojmë në një hapësirë për bisedime, sapo hymë në hapësirë dhe i pash të dy flamujt, duhet të mendoja se çfarë do të bëj. Në atë moment, njëri mendim ishte se mundem të largohem dhe atëherë do të bëja skandal dhe e dyta ishte se rregullat i vërteton nikoqiri dhe se nikoqiri gabon. Ajo që mua më habiti, dhe nuk dua as atëherë dhe as tani të mendoj se ka qenë e qëllimshme, përse nuk kam qenë e informuar për atë gjë”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Presidentja thotë se nuk arsye për të pasur pasojë përgjegjësie mbi shefin e saj të protokollit sepse gabimi ka qenë i palës tjetër. LSDM reagon pas intervistës së djeshme të Gordana-Siljanovskës duke thënë se “ajo nuk ka as kapacitet dhe as dinjitet për të qenë kryetare e shtetit”.
“Pas vizitës skandaloze në Sofje, ajo tani ka pranuar se me vetëdije ka vendosur të bëjë një fotografi pa flamur për të mos shkaktuar skandal. Ajo me vetëdije është fotografuar dhe me vetëdije e ka publikuar fotografinë, kështu që me vetëdije ka provokuar poshtërimin e shtetit dhe qytetarëve të saj, që të mos prishë rehatinë e momentit. Fakti që delegacioni ynë, sipas pretendimeve të saj, ka shkuar plotësisht i papërgatitur, pa kurrfarë koordinimi me protokollin e Radevit dhe pa dijeni se çfarë është planifikuar nga aktivitetet protokollare, tregon për mungesë të plotë të përgjegjësisë dhe profesionalizmit në ekipin e saj”, thonë nga LSDM.
Radev ka thënë se protokollet nuk janë shkelur sepse takimi nuk ka qenë as shtetëror dhe as pune./Alsat.mk