Ambasadori italian për shumë vite në Shqipëri, Paolo Foresti, mik i njohur i shqiptarëve, i është drejtuar Komisionit të Venecias për situatën e rëndë në vendin tonë. Mes të tjerave ai denoncon shembjen e Teatrit Kombëtar nga autoritetet duke e krahasuar këtë akt me punët e krimit që bëhen natën.
Letra e plotë të ambasadorit, Paolo Foresti, drejtuar Komisionit të Venecias.
“Zonja dhe zotërinj,
Siç dihet, teatri u rrënua nga buldozerët në orën 4.30 gjatë natës, sikur njerëzit pa skrupuj zakonisht veprojnë kur kryejnë krimet e tyre, ndërsa disa intelektualë që ishin akoma brenda u përpoqën të kundërshtonin dhunën, madje duke rrezikuar edhe sigurinë e tyre personale.
Një pjesë e historisë, kulturës dhe artit është shkatërruar duke ua mohuar qytetarëve rrënjët e tyre siç kishte ndodhur tashmë me simbolet e tjera të së kaluarës në Tiranë. Në fund të viteve ’30 të shekullit të shkuar, teatri dhe Tirana e re moderne ishin projektuar dhe ndërtuar me respektin më të madh për Tiranën e vjetër ballkanike.
Tani një spekulim tjetër ndërtimor i dënueshëm ka çuar në zhdukjen e një cope tjetër të qendrës kryesore të kryeqytetit, i cili ishte kursyer deri edhe nga vetë diktatori Enver Hoxha.
Mendoni nëse në Romë do të shkatërrohej “il Foro Italico” me stadiumin prej mermeri për t’i lënë vendin një qendre moderne tregtare!
Kjo ngjarje e rëndë është pjesë e një situate të përgjithshme jashtëzakonisht shqetësuese: një parlament jo i plotë; administratat lokale në duart e një force të vetme politike; një gjykatë kushtetuese që për një kohë të gjatë është jo e plotë dhe joaktive; një shtyp i nënshtruar përpara çdo lloj shtrëngimi; një konflikt institucional që nuk premton asgjë të mirë.
Tani nuk ka dialog midis palëve të ndryshme të vendit me një menaxhim shumë shqetësues të pushtetit, kjo e gjitha në një kohë kur Shqipëria do të duhet të afrohej me strukturat e saj politike dhe juridike, edhe si një organizimin administrativ i Bashkimit Evropian.
Kam jetuar në Shqipëri në vitet e vështira të periudhës së parë të postdiktaturës deri në kthesën dramatike të viteve 1996-1997 kur kontribuam në mënyrë thelbësore për të ndaluar luftën e rrezikshme civile që po merrte formë.
Sigurisht që Shqipëria sot fatmirësisht nuk është më ajo e asaj kohe, por është e papranueshme që pas më shumë se 20 vitesh ne jemi dëshmitarë të përsëritjes së situatave të rënda siç është ajo aktuale, në vend që të ecet dhe përparohet drejt integrimit në Evropë.
Është detyrë, unë do të thoja është një detyrim i institucioneve evropiane dhe vendeve anëtare individualisht, veçanërisht atyre tradicionalisht më afër, që të angazhohen seriozisht me shqiptarë të të gjitha tendencave për të krijuar shpejt kushtet për aderimin përfundimtar të këtij vendi të vogël, por të rëndësishëm në Evropë.
Ballkani është një pjesë thelbësore e kontinentit tonë, sikur ka treguar historia e dy shekujve dhe nuk mund të vazhdojë të jetë një arsye për destabilizimin politik dhe më gjerë.
Faleminderit në emër të shumë bashkëqytetarëve shqetësimet e të cilëve unë po i përcjell.
Punë të mbarë,
Paolo Foresti
Komisionit të Venecias”