“Franca është një mik i Serbisë dhe miqtë e thonë të vërtetën, nuk do të ketë integrim të Serbisë në Bashkimin Evropian, pa ndonjë marrëveshje për Kosovën”.
Kështu ka thënë ambasadori i Francës në Beograd, Frederic Mondoloni, gjatë një interviste për ‘FoNet’.
Ai ka theksuar se Franca mbështet Serbinë ‘200 për qind’ për anëtarësim në BE dhe ka për ta ndihmuar atë që të arrijë kushtet e nevojshme, transmeton lajmi.net.
“Franca është mik i Serbisë dhe e vërteta duhet thënë mes miqve. Unë mendoj se presidenti Vuçiq, qeveria serbe dhe populli serb e din se nuk do të ketë integrim të Serbisë në BE pa një marrëveshje mbi Kosovën”, është shprehur ambasadori francez.
Sipas tij, stabiliteti rajonal duhet të ruhet për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme dhe për të përmbushur kushtet për pranim, atë e thotë kapitulli i 35 në negociatat me BE-në.
“Për ne marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 është shumë e rëndësishme por ajo ka nevojë për Beogradin dhe Prishtinën që të zbatohet”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se përkundër rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviçiq, dialogu duhet të vazhdojë.
“Populli serb nuk duhet të zgjidhë çështjen e Kosovës për ta knaqur BE-në, por për hir të së ardhmes së tyre në mënyrë që paqja të mbretëroj në rajon, në mënyrë që të përparojë edhe ekonomia e jo edhe fëmijët të merren me të kaluarën”.