Prokurorët amerikanë po përpiqen të sekuestrojnë pasurinë dhe asetet e baronit meksikan të drogës, “El Chapo”, që të enjten u ekstradua nga Meksika në Shtetet e Bashkuara.
Sipas prokurorëve amerikanë, të cituar nga mediat ndërkombëtare, pasuria e Joaquin Guzman arrin deri në 14 miliardë dollarë.
Ndërkohë, në daljen e parë para Gjykatës së Nju Jorkut, Guzman u vetëdeklarua i pafajshëm ndaj akuzës për drejtimin e organizatës më të madhe në botë të trafikut të drogës.
Autoritetet federale në Amerikë kërkonin “El Chapo” prej më shumë se 20 vitesh dhe tani kanë ngritur ndaj tij 17 akuza, mes të cilave trafik droge, përdorim armësh zjarri, pastrim parash dhe transport ndërkufitar të parave. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.
“Në këtë jetë, ai është një njeri i njohur vetëm për jetën e krimit, dhunës, vdekjes dhe shkatërrimit. Dhe tani ai duhet të përgjigjet për të gjitha këto. Ky është “El Chapo” Guzman”, deklaroi prokurori amerikan Robert Capers, duke rrëzuar mitin e krijuar rreth figurës së një prej kriminelëve më të fuqishëm të botës.
“Historia e Guzman nuk është ajo e një bamirësi, e një Robin Hood-i, apo e një mjeshtri të arratisë që i shpëtoi për mrekulli burgut”, vijoi Capers, duke iu referuar arratisjeve të Guzman nga burgjet e sigurisë së lartë, transmeton KlanKosova.
Ngritja e përgjakshme e “El Chapo” në nivelin e një trafikanti ndërkombëtar droge, vijoi zyrtari i lartë, i ngjan më tepër një tumori të vogël kanceroz që me kalimin e kohës zhvillohet dhe shpërthen.