Organizata për të drejtat e njeriut “Amnesty International” deklaroi se Izraeli shkatërroi në mënyrë të paligjshme tokat bujqësore dhe ndërtesat civile në një rajon përgjatë kufirit lindor të Gazës dhe se ky shkatërrim duhet të hetohet brenda fushës së “krimeve të luftës”, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim të organizatës thuhet se në kuadër të hetimit të ri fushata e ushtrisë izraelite për të zgjeruar ndjeshëm një zonë tampon përgjatë perimetrit lindor të Rripit të Gazës së pushtuar, duhet të hetohet “në kuadër të fushës së krimeve të luftës për shkatërrim të qëllimshëm dhe dënimit kolektiv”.
Laboratori i Evidencës së Krizave të “Amnesty International” duke analizuar imazhet dhe videot satelitore të shpërndara në mediat sociale nga ushtarët izraelitë mes periudhës tetor 2023 – maj 2024, identifikoi tokat e sapo evakuuara përgjatë kufirit lindor të Gazës, afërsisht 1 deri në 1.8 kilometra të gjerë.
Në disa video, ushtarët izraelitë shihen duke bërë foto ose duke festuar ndërsa ndërtesat në sfond janë duke u shkatërruar, thuhet në deklaratë. Theksohet se ushtarët izraelitë kanë shkatërruar në mënyrë të paligjshme tokat bujqësore dhe ndërtesat civile duke përdorur buldozerë dhe eksplozivë të vendosur me dorë si dhe kanë shkatërruar lagje të tëra, përfshirë shtëpi, shkolla dhe xhami.
– “Fushata brutale e shkatërrimit në Gaza është një lloj shkatërrimi arbitrar”
Drejtoresha e Kërkimit Global, Avokimit dhe Politikës, Erika Guevara-Rosas, vlerësimet e së cilës u përfshinë në deklaratë, ka thënë se fushata brutale e shkatërrimit të ushtrisë izraelite në Gaza është një lloj shkatërrimi arbitrar.
“Hetimet tona kanë treguar se si forcat izraelite kanë shkatërruar ndërtesat e vendbanimeve, kanë detyruar mijëra familje të largohen nga shtëpitë e tyre dhe se si i kanë bënë tokat e tyre të pabanueshme”, thotë Guevara-Rosas.
Analiza e organizatës zbulon një model në përputhje me shkatërrimin sistematik të një rajoni të tërë përgjatë perimetrit lindor të Gazës.
“Këto shtëpi nuk u shkatërruan si rezultat i luftimeve intensive. Përkundrazi, ushtria izraelite rrafshoi qëllimisht tokën pasi mori kontrollin e zonës. Krijimi i ndonjë ‘zone tampon’ nuk duhet të nënkuptojë ndëshkim kolektiv të civilëve palestinezë që jetojnë në këto lagje”, thuhet më tej në deklaratë.
Gjithashtu në deklaratë theksohet se organizata u ka drejtuar pyetje zyrtarëve izraelitë në lidhje me shkatërrimet më 2 korrik, por asnjë përgjigje nuk ka patur deri në datën e publikimit të deklaratës.