Gazetare: Melihate Rrustemi
Vijojnë përplasjet rreth pr/ligjit për amnisti. I pyetur për deklaratën e fortë të ministrit të Brendshëm Spasovski kundër amnistisë, numri “një” i Drejtësisë, Krenar Lloga ndonëse jo në mënyrë direkte lë përshtypjen se akuzon kolegun e tij se po bën fushatë për zgjedhjet presidenciale.
“Uroj që fushata e ardhshme politike për zgjedhjet presidenciale të jetë në frymën më konstruktive të mundshme me rezultate të arritura dhe llogaridhënie nga të gjithë ne” – Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.
Emri i ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovski disa herë është përmendur në opinion si kandidat i mundshëm në zgjedhjet presidenciale. Spasovski ditë më parë tha se pr/ligji për amnisti nuk do t’i shpopullojë burgjet, siç pretendon Lloga ndërkohë që personat që do të falen përbëjnë barë për sigurinë e vendit. LSDM-ja nuk komentoi nëse qëndrimi i Spasovskit është qëndrim i partisë.
“Propozim-ligji akoma nuk është në procedurë parlamentare, pasi të përfundojë ai proces do të komentojmë”- LSDM.
Nga ana tjetër kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski i cili paralajmëroi bllokadë në kuvend, shkoi një hap më tej. Mickoski kërcënoi se deputetët e VMRO-së do ta lëshojnë kuvendin nëse propozim ligji dorëzohet me flamur evropian.
“Ky ligj për lirinë e kriminelëve, përfshirë edhe ata të “Monstrës”, për të cilët nuk ka flamur evropian, pra nuk ka procedurë të shkurtuar, do të duhet të diskutohet në kuvend sipas procedurës standarde. VMRO-DPMNE thotë hapur se do ta bllokojë. Dhe nëse vendosin të keqpërdorin kompetencat e tyre, siç kanë bërë shumë herë më parë, dhe përsëri abuzojnë me procedurën e shkurtuar dhe flamurin evropian të këtij ligji, atëherë do të kërkoj nga Komiteti Ekzekutiv dhe Qendror i VMRO-DPMNE-së që ta mbështesin vendimin e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit të largohen nga puna e Kuvendit”- Hristijan Mickoski, kryetar I VMRO-DPMNE-së.
Ndonëse propozimi/ligji mori dritë jeshile në qeveri, kryeministri Kovaçevski ditë më parë tha se LSDM-ja do të dorëzojë amendamente nëse me këtë ligj përfshihet amnistia e dy të dënuarve në rastin “Monostra”. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nga Ligji për Amnisti të paktën 286 persona do të lirohen krejtësisht nga burgu dhe mbi 960 të tjerë do të përfitojnë liri të pjesshme. /alsat.mk