Analistët: Qeveria stabile, mandati t’i jepet Zaevit /Video

Profesori, Nikolla Dujovski vlerëson se lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në vend se ta pret presidentin t’ia dorëzojë mandatin për formimin e Qeverisë, duhet menjëherë të sigurojë shumicën parlamentare dhe të mos lë hapësirë për manipulime.
Skenari më i mirë për Maqedoninë dhe për daljen nga kjo krizë politike është që Zoran Zaev menjëherë t’i fillojë konsultimet me partitë politike të shqiptarëve, me BDI-në, Besën dhe Aleancën për Shqiptarët dhe të sigurojë shumicë parlamentare para se ta fitojë mandatin e Presidentit. Sepse Kushtetuta jonë është në atë frymë, Presidenti do t’ia besojë mandatin partisë ose partive që kanë shumicë në Parlament dhe Zaev nuk duhet ta presë presidentin t’ia besojë mandatin, përkundrazi duhet ta sigurojë shumicën parlamentare dhe të shkojë te Presidenti me 61 deputetë që do ta mbështesin dhe kështu do të formohet qeveri që do ta nxjerr vendin nga kriza, ose të paktën do të fillojë t’i zgjidh çështjet problematike që këto dy vite ishin ngarkesë mbi shoqërinë tonë. Ndoshta VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja taktizojnë, që BDI-ja të refuzojë ta mbështesë qeverinë e re dhe kjo do të ishte thellim i krizës në vend dhe jo zgjidhje. Ky është opsioni i dytë që në këtë moment është më pak real, por është i mundur – tha profesori universitar Nikolla Dujovski.
Për analistin, Albert Musliu është normale që presidenti t’ia jep mandatin Zaevit, por ai thotë se Ivanov është i paparashikueshëm dhe mund të ndërmerr edhe hapa të tjera të papritura në kundërshtim me Kushtetutën.
Skenarët e parashikueshme të mundshme janë ato që janë normale. Normale është që nëse Gruevski nuk mundi të sigurojë shumicën, që mandatin t’ia japë partisë së ardhshme me më shumë mandate, LSDM-së dhe ajo të ketë një afat për të krijuar shumicë. Nëse edhe lideri i opozitës nuk arrin të krijojë shumicë, atëherë ka shumë skenarë se si do të vazhdohet: a do të vazhdojnë subjeketet politike shqiptare vetë ndonjë opsion tjetër politik, a do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, a do të krijohet ndonjë qeveri e gjerë… po përderisa të eksplorohet edhe varianti i dytë, t’i jepet shanci edhe opozitës për ta krijuar shumicën e mundshme unë nuk shoh pse ka nevojë të komplikohet procedura. Me presidentin e tashëm çdo gjë është e mundur. Ai është i paparashikueshëm. Jo rrallë herë edhe instrumentalizohet sipas nevojave të partisë e cila edhe e nominoi për kryetar. Mund të ndodhë që ai të japë edhe më shumë mandate. Mund të ndodhë që të dalë me ndonjë shpallje, me të cilën t’i thërras të gjithë liderët që mundet të formojnë shumicën dhe t’ia prezantojnë. Po mendoj se të gjithë duhet të jenë të gatshëm edhe për situata të paparashikueshme – deklaroi analisti Albert Musliu.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme